Kryeministri Edi Rama ka publikuar në llogarinë e tij të ‘Facebook’ raportin e Kombeve të Bashkuara lidhur me Zhvillimin Digjital.

Sipas këtij raporti Shqipëria renditet mes 8 vendeve me zhvillimin më të përparuar për shërbimet publike elektronike në Europë dhe e 19-ta mes 191 vendeve të botës. Vlerësimi vjen nga raporti “DigitalDevelopmentCompass” i Kombeve të Bashkuara.

Ky vlerësim vjen pas atij të Komisionit Evropian në Raportin e Progresit të dorëzuar qeverisë shqiptare.

“Një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet që nxijnë përditë nga balta e gjysëm të vërtetave, sajesave, akuzave, sharjeve e banaliteteve gjithëfarësoj”, shkruan ndër të tjera kreu i ekzekutivit shqiptar.

Komisioni Europian ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e procesit të digjitalizimit në Shqipëri lidhur me kapitullin 10-të “transformimi digjital dhe media”. AKSHI u vlerësua për realizimin e aktiviteteve të Agjendës Digjitale 2020-2022 dhe hartimin me sukses të Agjendës së re 2022-2026. Miratimi i ligjit për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara e afron Shqipërinë më pranë standardeve të BE-së.