Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka zhvilluar sot një takim me presidentin Bajram Begaj në kuadër të caktimit të datës për zgjedhjet e ardhshme vendore. Idrizi u shpreh në një prononcim për mediat, pas takimit, se data nuk është më e rëndësishme se standardet e zgjedhjeve. Ai tha se procesi zgjedhor në Shqipëri ka disa problematika të mëdha, që ende nuk kanë gjetur zgjidhje. I pyetur përse nuk ishte pjesë e koalicionit opozitar që njoftoi aleancën me PD-në e Sali Berishës, Idrizi tha se partia e tij ende nuk e ka marrë një vendim.

“Jemi të hapur dhe po diskutojmë”, u shpreh Idrizi kur u pyet nëse e përjashton ose jo bashkëpunimin me PS-në në zgjedhjet e ardhshme. “Ndava me presidentin shqetësimin që ndoshta jemi vonë për territorialen. Nuk është çështja te data por te standardi i zgjedhjeve. Procesi zgjedhor ka problematika shumë të mëdhaja dhe të mbartura. Nëse do të jeni të vëmendshëm, sigurisht që jemi bashkë, PDIU do të jetë në vlerësim dhe do të vendosë. Mund të ketë zona ku ne jemi në vlerësim. Jemi të hapur që të diskutojmë dhe të mbajmë qëndrimet tona. Ka probleme të tjera të mbartura që duhet të zgjidhen”, u shpreh Idrizi.