U mbajt sot në Tiranë, Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Nanoteknologjisë, (TNT 2022) NanoBalkan me përfaqësimin e Instituteve prestigjioze të teknologjisë nga 25 shtete të ndryshme, e në një diskutim profesional për arritjet e sfidat e sotme të teknologjisë, si edhe mundësitë e ambiciet zhvillimore të Shqipërisë në këtë aspekt, në fushat e shëndetit, sigurisë, bujqësisë, mjedisit.
Kryeministri Edi Rama përshëndeti Kongresin, duke theksuar se qeveria shqiptare do të sigurojë të gjithë mbështetjen për këtë komunitet dhe për njësinë e re të nanoshkencës, nanoteknologjisë në Shqipëri.

Fjala e kryeministrit Rama:

Mirëse keni ardhur. Ëelcome. Bienvenidos. Ekipi im kishte bërë një fjalim të gjatë, por mendova ta kursej kohën tuaj se nuk keni nevojë të dëgjoni nga unë se çfarë është nanoteknologjia dhe dëshiroj të ndalem në pak pika; në radhë të parë, të falenderoj nga zemra profesor Merkoçin dhe profesor Correian, të cilët të së bashku janë angazhuar në një rrugë që në fillim, me thënë të drejtën, dukej si një angazhim utopik, por besoj fort që sot në këtë kongres të dytë ndërkombëtar këtu në Tiranë është një angazhim konkret, i konkretizuar me 26 grupe që punojnë nga vende të ndryshme dhe që na japin mundësinë për ta parë plotësisht të realizueshëm hapin tjetër, hapin e çeljes së një qendre të nanoteknologjisë ose më saktë, hapin e futjes së NanoAlb-it në një mjedis fizik pune, të cilin siç ia kam premtuar profesorit kur u takuam vjet, e kemi gati dhe me shumë kënaqësi do t’iu shoqërojmë për ta këqyrur dhe pastaj për të zgjedhur së bashku sasinë e mjedisit të nevojshëm për ta filluar këtë proces.

Është, sigurisht, një proces që nuk do të kishte ndodhur pa lidershipin e ri të Akademisë së Shkencave, nga i nderuari profesor Skënder Gjinushi, të cilit si në moshë të re dhe në moshë pak më të re, i ra barra të jetë gjithmonë turbulluesi i ujërave të ndenjura dhe faktikisht, Akademia e Shkencave, nga një hapësirë përshpirtjeje, ku më shumë e mbanin në këmbë të vdekurit se të gjallët, është kthyer në një pikë referimi që dalëngadalë po çel dyer që dukeshin krejtësisht të pamundura për botën në të cilën Akademia ishte kyçur.

Faleminderit shumë profesor për këtë angazhim dhe jam absolutisht i inkurajuar dhe i entuziazmuar sot, këtu në Kongres, ku asnjë i pranishëm nuk është një delegat që nuk e di se për çfarë ka ardhur, por të gjithë përfaqësojnë një përpjekje të përbashkët dhe një drejtim ku vendi ynë ka më shumë sesa në çdo drejtim tjetër për të bërë.

Ministrja solli këtu një shembull që unë dua ta përsëris, hyrjen edhe të universitetit dhe posaçërisht të Universitetit të Tiranës në një fazë të re, në një vetëdije të re për domosdoshmërinë e aksesimit të fondeve europiane, me projekte të financueshme dhe kuptimplota që forcojnë, jo vetëm bazën financiare të kërkimit shkencor, por forcojnë edhe besimin se ne, jo vetëm nuk jemi ndryshe nga të tjerët në aspektin negativ, por mund të bëjmë njësoj si të tjerët në aspektin pozitiv dhe katërfishimi i fondeve europiane për kërkimin shkencor në universitet, ashtu sikundër përfshirja e dhjetëfishit, nga afro 40 persona, në më shumë se 400 persona, të stafit universitar në aksesimin e këtyre fondeve, në harkun kohor të vetëm dy vjetëve, falë lidershipit të ri të Universitetit të Tiranës, është jashtëzakonisht domethënëse, është jashtëzakonisht inkurajuese dhe është jashtëzakonisht kuptimplotë për të dhënë mesazh inkurajues për plot vajza dhe djem që kur mbarojnë me rezultate shumë të larta shkollën e mesme, idenë e parë që kanë idenë që të largohen për të vazhduar studimet në universitete europiane.

Natyrisht që është një ide absolutisht legjitime dhe një e drejtë absolutisht legjitime për të synuar universitetet më prestigjioze europiane mbi bazën e rezultateve të shkëlqyera këtu në shkollën e mesme dhe është fakt që shqiptarët, vajzat dhe djemtë që mbarojnë të mesmen në Shqipëri, shkëlqejnë në universitetet më prestigjioze dhe është fakt që mesatarja e rezultateve të tyre në universitetet europiane në tërësi është ndër mesataret më të larta të studentëve të huaj në ato universitete, çka tregon se baza në arsimin është fuqizuar dhe përmirësuar por nga ana tjetër, çka na zë përpara përgjegjësisë, që të fuqizojnë dhe të përmirësojmë universitetin.

Në këtë aspekt kemi shumë drejtim në të cilat po punojmë dhe për të cilat duhet të rrisim kapacitetet, duhet të rrisim dhe rezultatet dhe patjetër, edhe njësia e re e nanoteknologjisë do t’i shërbejë fuqizimit të këtij besimi dhe rritjes së këtyre rezultateve.
Dua ta mbyll me një koment mbi një nismë, e cila deri pak vite më parë do ishte totalisht e paimagjinueshme, një nismë të përbashkët të Shqipërisë dhe Holandës apo Holandës dhe Shqipërisë, si të doni, për të angazhuar bashkësinë europiane në një drejtim ku ne synojmë një konkretizimin sa më real të vizionit dhe projektit të ri të Komunitetit të Ri Politik Europian.

Brenda pak ditësh, në datën 6, të gjithë liderët e kësaj gjeografie, që përfshin vendet e Bashkimit Europian, vendet e Ballkanit. Vende që janë shumë të zhvilluara, por që nuk janë në Bashkimin Europian si Zvicra e Norvegjia, e kështu ne radhë, do të mblidhen në Pragë për të diskutuar jetësimin e idesë së një Komuniteti të Ri Politik Europian.

Së bashku me kryeministrin Rutte kemi shkruar një editorial që do të publikohet nesër në Politiko mbi disa nga drejtimet që ne besojmë janë shumë të rëndësishme për këtë Komunitet të Ri Politik Europian dhe ku, nga ana jonë si Shqipëri, ne kemi vënë theksin, ndër të tjera, tek të rinjtë dhe tek universiteti, bota universitare europiane, tek domosdoshmëria që të rinjtë tanë dhe që universitetet tona, që janë jashtë rrjetit të universiteteve europiane të Bashkimit Europian, të kenë mundësinë e një aksesi të barabartë, çka do t’i jepte një hov shumë të konsiderueshëm procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve tona, duke mundësuar krijimin e sinergjive me universitetet europiane dhe praktikisht, për ta ulur bisedën krejtësisht me këmbë në tokë, duke iu dhënë mundësi nxënësve tanë që mbarojnë gjimnazet në Shqipëri që të mos kenë nevojë domosdoshmërisht të largohen për të shkuar për të studiuar në një universitet prestigjioz në Spanjë apo në Holandë apo në Francë apo në Gjermani dhe kështu me radhë, por ta gjejnë këtu në Shqipëri mundësinë që duke hyrë në universitet apo fakultet vendas të kenë programin dhe pasta në fund diplomën e barasvlershme të një universiteti europian të Spanjës, Holandës, Francës, Gjermanisë dhe kështu me radhë.
Natyrisht që ky do të jetë një proces, natyrisht që do të kërkojë kohën e vet, por për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shtyjmë në këtë drejtim, sepse nuk ka asnjë diskutim, që dimensioni akademik dhe arsimor i integrimit të plotë në BE nuk duhet të persë anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit në BE, por duhet t’i paraprijë këtij anëtarësimi.
Nëse kjo do të përqafohet edhe nga vendet e tjera dhe nëse kjo do kthehet në një politike të re të BE do të jetë një arritje e jashtëzakonshme, një lehtësim i jashtëzakonshëm për të gjithë, për të gjithë ato familje që investojnë shumë nga kursimet apo nga financat e tyre për t’i shkolluar fëmijët në universitete jashtë vendit. Për të gjithë ata që i përkasin botës akademike këtu në vend, botës universitare këtu në vend, pedagoge dhe pedagogë dhe nuk diskutohet dhe për përfituesit e drejtpërdrejtë që janë studente dhe studentët.
Me një falënderim për të gjithë ju që jeni këtu të pranishëm dhe besoj nuk i mbetet hatri bashkëqytetarëve, në radhë të parë një falënderim për ata që janë miq që vijnë nga vende të tjera duke uruar që t’ia kaloni sa më mirë, qoftë në diskutimet tuaja, qoftë edhe në orët që do të shijoni Tiranën.
Unë dua t’ju siguroj që mbështetja jonë për këtë komunitet dhe për njësinë e re të nanoshkencës, nanoteknologjisë këtu në Shqipëri është e padiskutueshme dhe kam shumë dëshirë, por kam dhe besim që kongresin e tretë që do të bëhet vitin e ardhshëm ne ta kemi këtu në Tiranë me rezultatin konkret dhe me realitetin konkret të njësisë, e cila ma ha mendja brenda një viti do të jetë plotësisht e ngritur dhe kështu edhe ai projekti që nuk keni arritur dot ta fitoni afro 20 milionë euro do mund të fitohet bazuar dhe në faktin që ka një njësi këtu që është operative dhe për momentin le të jemi të kënaqur me atë projektin tjetër 1 milionë e disa euro që tha profesori që keni fituar.
Edhe një falënderim të fundit fare për qeverinë spanjolle, për miqtë tanë nga Spanja, përfaqësuesit e qeverisë këtu sepse realisht me Spanjën kemi marrëdhënie shumë të mira historikisht, por janë si ato marrëdhëniet e mira historike mes fqinjësh që nuk janë afër dhe është gjithmonë shumë e lehtë të shkosh mirë me fqinj që nuk janë afër. Si të thuash që marrëdhëniet me fqinjët në lagjen tjetër i kam shumë të mira se nuk i kam takuar ndonjëherë. Ndërkohë që, tani kemi filluar të afrohemi pak dhe jam shumë, shumë i kënaqur dhe shumë falënderues për kryeministrin, për gjithë strukturën pas tij që është angazhuar realisht për ta bërë këtë afrim konkret. Dhe edhe ky kongres me praninë e autoriteteve e konfirmon këtë gjë. Kështu që shumë faleminderit miqve spanjollë, qoftë atyre që vijnë nga pjesa e shkencës, qoftë atyre që vijnë nga pjesa e institucioneve këtu në këtë kongres dhje le të vazhdojmë së bashku. Ne kemi shumë për të mësuar prej jush, por jemi të bindur që kush rri me ne dhe kush bashkëpunon me ne nuk mërzitet asnjëherë.
Shumë faleminderit!