Liridon Latifi ka qenë mungesa e madhe e Vl laznisë në dy muajt e fundit. Dëmtimi i tij në ndeshjen ndaj Kukësit më 28 gusht në stadiumin “Loro Boriçi” i ka prishur punë skuadrës së Mirel Josës. Fillimisht u mendua se do të rikthehej në fushë pas vetëm 2-3 javësh riaftësim, mirëpo ndodhi e kundërta. Megjithatë, pas 50 ditësh nga ndeshja e tij e fundit me kuqeblutë, dje lojtari ka dalë në stërvitje, duke dhënë një lajm shumë i mirë për Vllazninë, aq më tepër në këtë periudhë, ku oshilacionet në rezultate kanë qenë të shumta.

Pas seancës së parë të martën, 28-vjeçari foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke sqaruar dëmtimin që e mbajti gjatë larg fushave, si dhe treguar se kur mund të jetë gati 100% për trajnerin Josa. “Kur jam dëmtuar në ndeshjen me Kukësin, u konstatua se kam pasur një rupturë të muskulit dhe thyerje të kockës. Nga ajo që më bënë të ditur mjekët, ky lloj dëmtimi do gjashtë deri në tetë javë riaftësim. Ky fillim sezoni ishte shumë i vështirë për mua dhe shpresoj të jetë i fundit që më ndodh kështu”, tregon fillimisht Latifi për gazetën, duke iu referuar edhe problemeve shëndetësore që pati në fazën përgatitore përpara ndeshjeve që Vllaznia luajti në turin e dytë të Ligës së Konferencës kundër Universitatea Kraiovës.

Por, kur do ta shikojnë tifozët kuqeblu ekipi me Latifin në fushë. Vetë sulmuesi i krahut, jep këtë përgjigje: “Sot (dje) kam filluar stërvitjen me skuadrën, në mënyrë që më shpejt të kthehem dhe të jem gati për ekipin. Besoj që për 10-12 ditë do të jem gati të ndihmoj skuadrën dhe mezi po pres këtë. Shpresoj që gjërat të shkojnë sa më mirë”. Ndërkohë, duke qenë se vetë sulmuesi pranoi se mund të jetë gati pas 10-12 ditësh, ai pritet të humbë edhe dy sfidat e radhës së Vllaznisë, pikërisht ndaj Bylisit dhe Erzenit. Kësisoj, rikthimi i tij, nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve, mund të ndodhë ndaj Kukësit më 2 nëntor, pikërisht ndaj skuadrës ku dhe pësoi dëmtimin në javën e dytë./PANORAMASPORT.AL