Partia qeverisëse liberal-konservatore Uniteti i Ri (JV) e kryeministrit të Letonisë, Krisjanis Karins ka dalë në krye të zgjedhjeve parlamentare. “Partia doli fituese me 18,9% të votave”, sipas të dhënave të komisionit zgjedhor në Rigë pas numërimit në pothuajse 95% të të gjitha qendrave të votimit.

(JV), si shumë parti kristiandemokrate evropiane, republikanët e Francës, “Forza Italia” e Italisë dhe Partia Popullore Austriake, i përket grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian. Zgjedhjet e së shtunës u lanë në hije nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe shqetësimet për rritjen e kostove të energjisë.

Aleanca opozitare e Fermerëve dhe të Gjelbërve doli e dyta me 12,8%, përpara aleancës zgjedhore të sapoformuar “Lista e Bashkuar” me 11%. Nga tre partnerët e koalicionit të Karins, vetëm Aleanca Kombëtare nacional-konservatore raportohet të ketë arritur të hyjë në parlament, me 9,3% të votave.