Edi Paloka (nga grupi Berisha) dhe Gazmend Bardhi (nga grupi Alibeaj) do të takohen ditën e sotme në orën 11:00, larg syrit të mediave, për të biseduar mbi gjetjen e gjuhës së përbashkët sesi PD-ja do të bashkohet për të dalë me një kandidaturë të vetme në zgjedhjet vendore të 2023. Një ditë më parë, në pritje të nisjes së bisedimeve mes dy grupimeve, deputetët e PD-së u shfaqën së bashkë në dyert e Gjykatës së Apelit, në mbështetje të kolegut Ervin Salianji që gjykata të jap vendimin final.

Mirëpo, paralelisht me tentativat për të shmangur skenarin e 6 marsit, dy kampet brenda PD po punojnë edhe për planin B, atë të daljes me kandidatët e tyre. Sali Berisha e ka deklaruar publikisht rrugën e tij. Takimet tashmë kanë nisur dhe primaret në qytetet kryesore do të nisin shpejt, pa pritur pafundësisht rezultatin e negociatave Paloka-Bardhi.

Grupi tjetër, dirigjent kryesor të takimeve ka Lulzim Bashën, ndonëse ky i fundit hoqi dorë nga drejtimi I partisë që në muajin mars. Report Tv ka mësuar mbi disa takime që ish kryedemokrati ka zhvilluar në degët e PD për zgjedhjet e ardhshme lokale. Më të rëndësishmet ishin ato me ish drejtuesit e PD në degët e qyteteve të veriut dhe jugut, 2 javë më parë ku Basha u përball nga të vetët edhe me qëndrimin se nuk duhet të mendojë rikthimin në krye të demokratëve.