Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në seancën e sotme parlamentare foli dhe një herë për shkaqet që çuan në mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy”.

Në fjalën e saj, znj. Kushi theksoi se kolegji u mbyll sepse pronarët kishin shitur godinën e mëparshme për qëllime fitimi dhe  nxënësit i kishin dërguar në një godinë tjetër, pa bërë verifikimet e nevojshme, gjë që ishte në kundërshtim me ligjin.

Ministrja garantoi dhe një herë nxënësit dhe prindërit se ministria po bën maksimumin për akomodimin e nxënësve në shkolla të tjera të sigurta.
Pronarët e shkollës, u shpreh Kushi, dalin në media e bëjnë si viktima edhe pse kanë detyrime para nxënësve që i lanë në mes të rrugës.

Kushi: Do ta nis nga mbyllja e kolegjit turk “Mehmet Akif”. Mendova se zonja Bakiu e kishte seriozisht dhe mirë do të ishte që të ishte këtu në sallë. E kuptova që nuk e ka patur seriozisht se nuk i ka lexuar faktet. Por jam e detyruar që të jap disa shpjegime, nuk kam folur shpesh në medie se është një çështje ligjore, administrative dhe nuk duhet që të marrë përmasa politike. Po jap disa sqarime për opinion publik:

Së pari për nxënësit, mësuesit e prindërit. Të vetmit që i mirëkuptoj në këtë histori janë nxënësit dhe prindërit, pasi janë mësuar, familjarizuar dhe e kanë të vështirë të lëvizin drejt një shkolle tjetër. Dua që t’i garantoj të gjithë nxënësit dhe prindërit që ne po bëjmë maksimumin dhe do t’i ofrojmë të gjitha mundësitë për t’i akomoduar dhe përshtatur ata në shkolla, qoftë pranë vendbanimit të tyre, apo sipas preferencave  që kanë.

Ata që nuk u mirëkuptoj aspak, janë ata politikanë që duan të bëjnë protagonizëm dhe që bëjnë ekspertin në çdo fushë, që nuk lexojnë as faktet, as ligjin, por bëjnë gjithcka në interes të partisë së tyre. Kanë shitur godinën për arsye fitimi dhe i kanë marrë nxënësit e i kanë çuar në institucion tjetër pa bërë verifikimet përkatëse. Për këtë shkelje, ligji parashikon heqjen e licencës. Si mund t’u dilni ju në mbrojtje shkelësve të ligjit? Të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit dhe ta respektojmë në mënyrë të barabartë.

###

https://fb.watch/fWSgPN4FVf/