Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk e ka dëgjuar fjalimin e fuqishëm të homologut të tij shqiptar, Edi Rama, në Këshillin e Evropës.

Ai tha se nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë për shkak të agjendës së ngjeshur që ka pasur.

“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e Edi Ramës, sepse nuk e kam dëgjuar.

Kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të ndryshme e në mbrëmje vonë përpiqem që të updatohem”, tha ai në konferencën e përbashkët për media me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Më tej ai ka theksuar se nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh atë pa adresuar krimet serbe.

“Mbi të gjitha, unë besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë të ndiqen, dhe përgjegjësit e fajtorët të gjykohen e dënohen.

Andaj kushdo që flet në arenën ndërkombëtare, do të duhej nga faktorët ndërkombëtarë, ta trajtojë këtë çështje, pasi në Kosovë ka ndodhur gjenocidi për të cilin ka ndërhyrë NATO.

Pra, nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, tha ai.