Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish thirrje për kursimin e energjisë elektrike. Nga Durrësi, ku ishte i pranishëm në inaugurimin e një blloku banesash të rindërtuara, Rama u ndal edhe në krizën energjetike, duke thënë se muajt në vijim do jenë sfidues për shkak se do të rritet konsumi për energjinë. Kreu i qeverisë tha se janë të vendosur që të mbrojnë familjarët dhe biznesin e vogël. Ndalur në shtyrjen e aplikimit të fashës 800 kWh për familjet, Rama tha se kjo erdhi si rrjedhojë e kursimit të energjisë, reshjeve të shiut, solli përmirësim të situatës energjetike.

“Dua të përfitoj nga rasti se është një kohë e vështirë, inflacioni që ka sjellë lufta ka vështirësuar jo vetëm familjet, por edhe gjithë procesin e zhvillimit të mëtejshëm ku ne sërish kemi shumë besim se do ia dalim siç duhet. Jemi të vendosur ta mbajmë të paprekur çmimin e faturës së energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Kjo ka rolin e vetë në frenimin e inflacionit, të cilin e kemi më të ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kjo kërkon vetëdije, çmimi që ka familja apo biznesi I vogël në fund të muajit nuk është çmimi real. Diferencën mes çmimit në faturë dhe atij real do ta mbulojë qeveria me qëllimin që çmimi të mos rritet por edhe kufizime të mos ketë. Janë dy anë të një rrugë shumë delikate. Ajo që kërkoj nga të gjithë është të kursejmë energjinë sa të mundemi, të mos lëmë dritat ndezur kot. Nëse patëm mundësinë ta shtyjmë aplikimin e fashës 800kËh për t’i lehtësuar të gjithë psikologjkisht, kjo erdhi si rezultat i faktit se nevoja për energji u bë më e vogël se parashikimi. Qoftë kjo për shkak të kursimit apo të reshjeve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të mos shpërdorojnë energjinë, pasi muaji nëntor, dhjetor dhe janar priten të jenë të vështirë. Por kreu i qeverisë shtoi se nuk kanë dëshirë që ta aplikojnë fashën 800 kWh pas muajit dhjetor, por kjo do të vlerësohet në bazë të situatës.

Por tetori nuk është muaji më sfidues, pas tij vijnë nëntori e dhjetori me të ftohtin. Ne duam që fasha të jetë një eksperiencë që përfundon me dhjetorin. Të bëjmë të gjithë pjesën tonë. Nëse çdo abonent familjar dhe çdo biznes i vogël nuk shpenzon energjinë kot, ne jemi shumë të sigurt në këtë rrugë kaq delikate, sepse duam me patjetër të mos prekim çmimin apo t’i drejtohemi kufizimeve. Vendet e tjera po rrisin faturat, të gjithë keni të njohur e miq në Itali. Mjafton t’i pyesni për stresin që kanë për shkak të rritjes së faturave të energjisë në tërësi. Kosova ka filluar kufizimet e energjisë dhe aplikimin e fashës. Ne po ndjekim një rrugë të guximshme por edhe të rrezikshme. Për të kaluar rrezikun të gjithë duhet të kontribuojnë. Sadopak në çdo kohë të ditës të kursehet, aq më shumë e garantojmë këtë rrugë. Kam bindjen se me rritjen e menjëhershme të pagave që ka hyrë në fuqi dhe që do jetë realitet në arkën e shumë familjeve, duke filluar që nga pensioni prapë do jetë kjo një lehtësi e ndjeshme në krahasim me inflacionin e luftës”, deklaroi Rama. Sot, në Golem u dorëzuan çelësat e apartamenteve të reja për qytetarët, streha e të cilëve u shkatërrua dy vite më parë, duke e çuar në 221 numrin e familjeve, në qytetin e Kavajës, që kanë tashmë një shtëpi të rindërtuar.