Çmimet e rritura nga lufta ruse në Ukrainë po i bëjnë të papërballueshme kostot e jetesës në gjithë Europën. Të rinjtë janë kategoria më e prekur. Kjo 27-vjeçare greke, studente braktisi apartamentin 50 metra katrorë me qira, pasi nga 320 Euro në muaj tani duhej të paguante 500, 77% të pagës së saj nga puna part-time.

Ka gjetur në Athinë një apartament në çatinë e një pallati sa gjysma e sipërfaqes që kishte, për të cilin paguan 200 Euro në muaj. “Më tremb shumë kjo kriza energjetike. Çmimet u rritën shumë për një kohë kaq të shkurtër. Nuk bëj më plane afatgjata, përveçse për muajin tjetër”.

“67% e të rinjve jetojnë me prindërit. Kjo i bën shumë keq ekonomisë greke”, thotë një agjent imobiliar. Në Bruksel, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen prej kostove të larta. “Paguaja për energjinë elektrike 300 Euro në muaj, ndërsa tani 900. Dyqani i berberit ka nevojë edhe për materiale të tjera, si shampo, përkujdesje flokësh, etj. Të gjitha janë rritur”, shprehet një berber.

“Kjo që po ndodh është katastrofë. Janë trefishuar çmimet. Në muaj, për gazin po paguajmë 21 mijë Euro, ndërsa për elektricitetin 5 mijë”, tregon një prodhues buke. Inflacioni në nivelet mbi 10% ka ulur të ardhurat për bizneset pasi konsumatorët po blejnë gjithnjë e pak mallra dhe shërbime.