Paris Saint-Germain ka nisur punën për rinovimin e kontratës së Lionel Messi. Sipas ‘Le Parisien’ klubi francez është gati t’i ofrojë një “kontratë të parefuzueshme” me shifra që “asnjë klub tjetër në botë nuk mund t’ia propozojë”.

Kontrata aktuale e yllit argjentinas përfundon në qershor të vitit 2023. Por, pas përfitimeve të jashtëzakonshme ekonomike, por edhe interesit mediatik, parizienët kërkojnë që Messi të vijojë karrierën në Parc des Princes. Ideja është ajo e kontratës një vjeçare, me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Edhe pse ende nuk janë bërë publike, kushtet ekonomike për Leon do të ishin të pakrahasueshme me ofertat që mund t’i bëjnë klubet e tjera.

Drejtuesit e Paris Saint Germain nisën punën konkrete për rinovimin e marrëveshjes, pas zërave të shtuar të javëve të fundit, që flisnin për një rikthim të jashtëzakonshëm të Messit te Barcelona. Gjithashtu, një tjetër alternativë për “pleshtin” ka qenë edhe Major League Soccer amerikane, që do ta shfrytëzonte popullaritetin e sulmuesit për të rritur imazhin e kampionatit.

Pas sezonit të parë në hije në kampionatin francez, gjatë këtij sezoni Lionel Messi është kthyer në protagonist. Ai ka realizuar 9 gola dhe ka dhënë 10 asiste në 15 ndeshjet e para. Por, në moshën 35-vjeçare,objektivi primar i yllit argjentinas është Botërori në Katar, i cili do të jetë shansi i tij i fundit për të fituar kupën e botës.