Nga Ben Blushi/

Disa ditë më parë, piktori Zamir Mati më dërgoi një karikaturë që ma kishte bërë para shumë vitesh. Gjatë kohës që merresha me politikë.

Nuk kisha mjekërr atëherë, kisha flokë më të gjatë, sy më të lodhur, kostum që duket si pizhama, kollaro që ngjan si lak dhe një laps në dorë që duket si heshtë. Nishani im ishte aty, si një plagë në faqen time, ndërsa rrudhat mbi ballë dukeshin si shtigje që nuk cojnë askund. Nëse dikush do më pyeste si të duket vetja do ti thosha vetëm një fjali:

Dukem si një personazh i Molierit,komendianit më të madh francez të Mesjetës. Duke marrë parasysh që Zamir Mati jeton prej 30 vitesh në Francë dhe me siguri i njeh mirë ilustrimet e veprave të Molierit, kjo ngjashmëri është e kuptueshme. Në të vërtetë, kur pashë karikaturën, nuk e njoha veten time dhe si cdo njeri që sheh fytyrën e vet të zhubrosur, të deformuar, me hundë të gjatë dhe ballë të ngushtë, u ngushëllova duke menduar se karikaturat kanë lindur për tu tallur me njerëzit.

Megjithatë Zamir Mati,një mik i ngushtë i babait tim,nuk është tallur me mua. Ai ashtu më ka parë gjatë kohës që merresha me politikë. I lodhur, i ndodhur, i rrudhur, i mërzitur, i nxitur, nevrik, kamzhik, në panik, zevzek, tek për tek, piper, ezber, ezmer, pa mjekërr, pa berber, pa shije,pa erë, në cdo derë, i rëndë, pa lëndë, në cdo kënd, i pavend , i pasend, pa rend, pa trend, pa shend, në cdo cep, pa thep,pa sqep, pa kep, i skuqur, i zverdhur, i zbardhur, i nxirë, i mpirë, i lirë, me hir, pa pahir.

I gatshëm të luftoja edhe me ata që nuk ishin në luftë me mua. Kushedi sa njerëz kanë menduar si Zamir Mati gjatë atyre viteve. Prandaj po e postoj këtë karikaturë, në formën e një pasqyre që të kthen në të shkuarën. Po shof veten time, ndoshta si nuk duhej të isha, por sic isha. Dhe sic vendosa unë të isha. Merci Zamir!