Ndeshje e madhe për Roma-n e Jose Mourinho-s, që të dielën në mbrëmje në Olimpico do të presë Napoli-n e Luciano Spalletti-t, kryesues dhe të etur për të vazhduar në këtë rrugë. Një provë e vërtetë për verdhekuqtë që duhet të masin ambiciet e tyre.

Duke prezantuar sfidën, si zakonisht, trajneri portugez ka thënë në konferencën për shtyp: “Përveç Dybala, Wijnaldum dhe Darboe edhe Celik nuk do të jetë ende me ne, por mendoj se do të jetë në gjendje të luajë për tjetrën.

“Napoli është i pari në renditje dhe kur je i pari pas dhjetë ndeshjeve tashmë ka një kuptim. Ne kemi të drejtë të luajmë dhe duam të luajmë. Mendoj se në përgjithësi Napoli është favorit, por ndonjëherë favoriti humbet”.

ZANIOLO – “Mendoj se Zaniolo është ende në një moment rritjeje dhe përmirësimi në karrierën e tij. Duhet të përmirësohet. Ai është ende në rritje dhe duhet të kuptojë se si ta luajë lojën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo që më pëlqen shumë tek Nicolò është se ai më tregon rritje nga pikëpamja emocionale”.

Më pas për ditët shtesë të skualifikimit në Europa League për Zaniolo-n: “Tri ditë skualifikim më duket e pabesueshme. Edhe e kuqja është një e kuqe që në mënyrë perfekte mund të ishte e verdhë. Duket shumë. Është shumë për këtë djalë. Unë duhet ta mbroj atë”.

SPALLETTI – “Nuk e kam dëgjuar konferencën e tij, por nuk mendoj se po bën blof. Se ai është miku im është e vërtetë dhe ne e respektojmë njëri-tjetrin. Nuk ka hipokrizi nga ana e asnjërit.

“Që ai mendon se do të fitojë nesër dhe se ai gjithashtu e di se mund të humbasë nuk është blof. Ai e di që nuk është e lehtë. Është e gjitha e sinqertë. Këto janë deklarata të vërteta dhe normale”.

KVRATSKHELIA – “Nuk ka asgjë për të pritur nga unë. Nëse ai kalon para meje ndoshta e godas me shkelm (qesh). Të interesuar? Tani është shumë e lehtë që të gjithë ishin të interesuar. E vetmja gjë që ka rëndësi është se ai shkoi te Napoli, ata zgjodhën mirë. Ndoshta edhe ai ka zgjedhur mirë”.