Venddepozitimi i mbetjeve në Gërhot të Gjirokastrës, një hapësirë me pamje apokaliptike shumë afër qytetit deri dje, është transformua tërësisht falë investimit të qeverisë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamjet se si ky venddepozitim mbetjesh, një ndër plagët mjedisore, është transformuar tërësisht.

Puna për rehabilitimin e këtij venddepozitimi mbetjesh përfundoi në qershor të këtij viti.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me forcat e bashkive dhe me mbështetjen e partnerëve si qeveria gjermane, zviceriane dhe ajo suedeze, arriti në një vit të mbyllë rreth 15 plagë të rënda venddepozitimësh ilegale.

U mbyllën dhe rehabilituan fusha e plehrave që digjeshin në Përmet, venddepozitimet e paligjshme në Burrel, Kukës, Krujë, Skrapar, Këlcyrë, Laç, Cërrik, Fier e Lushnjë, Dimal, Kuçovë dhe Berat.

Aktualisht mblidhen 90% e mbetjeve në territor nga 50% që mblidheshin në 2013.