Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa mendon se ky vit “do të jetë sfidues për Kosovën”, duke theksuar se “vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7 për qind”.

“Rritje më të ulët 2.4 për qind parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina”, shkroi Mustafa në Facebook.

“Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë”.

Megjithëkëtë, ai theksoi se vitin që e lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5 për qind sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, përkatësisht 9.1 për qind sipas Bankës Botërore.

“Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5 për qind”, shtoi ai.

Ish-kreu i LDK-së potencoi se në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, “prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm”.

“Nga tregjet dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë vitin e kaluar, Mali i Zi kishte rritjen më të madhe ekonomike prej 13 për qind përkatësisht 12.4% për qind sipas BB pasuar nga Kroacia prej 10.2 për qind. Por sikurse Mali i Zi ashtu edhe Kroacia kishin pësuar rënie të madhe ekonomike në kohë të pandemisë”.