Në qytetin e Podporozhye, pesëqind milje larg Moskës, zyrtarët ushtarakë po mblidhen për të vendosur nëse Mikhail Ashichev duhet të mobilizohet dhe të dërgohet në Ukrainë.

Kjo mbledhje vjen pasi Mikhail refuzon të bëhet pjesë e ushtrisë ruse e të dërgohet në front, duke argumentuar se nuk mendon se ka kërcënim për Rusinë e për pasojë nuk ka arsye as që ai të luftojë.

“Unë nuk jam pacifist. Nëse një vend do të përpiqej të pushtonte atdheun tim, ose të kryente agresion kundër Rusisë, unë do të shkoja direkt në zyrën e regjistrimit ushtarak dhe do të regjistrohesha, pa pritur dokumentet e mia të thirrjes. Por në këtë rast të veçantë besoj se nuk ka kërcënim ushtarak për atdheun tim”, tha ai.

Ndërkohë, kjo refuzohet nga zyrtarët ushtarakë, të cilët shprehen se arsyeja për të cilën ka nisur kjo luftë është pikërisht fakti që vendi i tyre është në rrezik.

“Por Atdheu ynë është në rrezik,” këmbëngul një nga zyrtarët.

“Atdheu im nuk ishte në rrezik para 24 shkurtit”, përgjigjet Mikhail, duke iu referuar datës në të cilën Rusia pushtoi Ukrainën.

Mikhail, 34 vjeç, është mekanik. Pavarësisht se Rusia po bëhet një shtet gjithnjë e më autoritar, në të cilin të drejtat civile dhe të njeriut janë kufizuar, Mikhail argumenton se Kushtetuta ruse i jep atij të drejtën të refuzojë të luftojë në Ukrainë duke argumentuar se një vendim të tillë e ka marrë i ndikuar nga ndërgjegjja e tij.

Mbledhja u filmua dhe kur Mikhail e pa më pas, u shpreh se ishte i shqetësuar ndërkohë që fliste dhe mbante ato qëndrime, por se kur pa filmimet kuptoi se më shumë frikë shihte në sytë e personave që kishte përballë.

“Ndërsa qëndroja duke thënë ato gjëra, isha shumë nervoz. Por kur pashë videon, përkundrazi pashë frikë në sytë e njerëzve që më dëgjonin. Mendoj se kjo ndodh sepse ata janë mësuar t’i trajtojnë njerëzit si objekte që mund t’i lëvizin nga një vend në tjetrin. Papritmas unë thashë ato që mendoja. Më pas erdhën kërcënimet. Ata më tha në se do të vihej në dijeni policia për rastin dhe se kjo do të niste një hetim. Kam ndjesinë se këta njerëz janë të tmerruar nga humbja e kontrollit. Ata janë mësuar të kontrollojnë gjithçka “, tha ai.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se që nga nënshkrimi i dekretit për mobilizimin e rezervistëve për ti dërguar në luftë në Ukrainë, më shumë se 220 mijë persona kanë dalë vullnetarë.

Edhe pse udhëheqësi i Kremlinit ka treguar se mobilizimi do të përfundojë së shpejti, Kremlini ka refuzuar të emërojë një datë specifike.

“Njerëzit rreth meje janë të tmerruar për shkak të mobilizimit sepse tani kjo i prek të gjithë”, tha Mikhail i cili sqaron se pas refuzimit për të luftuar, ka marrë kërcënime në rrjetet sociale.

“Ai është një frikacak dhe një mi që ikën nga anija. Një njeri që e bën këtë nuk mund ta quajë veten burrë”, thuhet në një komentet në llogarinë e Mikhail.

Megjithatë të shumtë janë edhe personat që e kanë mbështetur.

“Bravo Mikhail, ti je trim dhe i ndershëm. Refuzimi i vrasjes është njerëzor dhe i guximshëm. Njeri i mirë. Nuk po fshihesh apo ikësh. Po bën pyetjen e duhur: kush po planifikonte të na sulmonte në të vërtetë përpara 24 shkurtit?”, ishin disa nga komentet pozitive që mori ai.

Mikhail është i vendosur të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur pozicionin e tij.

“Kur mobilizimi flitej vetëm si mundësi, unë tashmë e kisha vendosur dhe isha marrë vesh me familjen që, nëse do të krijohej një situatë e tillë, do të refuzoja ta bëja këtë, edhe nëse do të më dërgonin në burg. Do të zgjidhja burgun. Kjo nuk më frikëson. Ne e dimë se në Ukrainë njerëzit po vdesin nën rrënoja dhe prindërit po varrosin fëmijët e tyre. Shteti do të më konsiderojë kriminel nëse nuk shkoj të luftoj në këtë luftë. Por unë të paktën nuk do të jem kriminel nga pikëpamja njerëzore”, tha ai.