Boris Johnson dhe Rishi Sunak kanë zhvilluar bisedime ndërsa po i afrohen afatit përfundimtar për nominimet në garë për të zëvendësuar Liz Truss si kryeministre. Dy burime i thanë BBC-së se takimi u zhvillua, por asnjëri nga kampet nuk ka bërë të ditur se çfarë kanë diskutuar.

Rishi Sunak vazhdon të ecë përpara në garë, duke mbledhur mbështetjen e 128 deputetëve nga të gjitha krahët e partisë së tij, përfshirë ish-aleatët e Johnson. Johnson është në vendin e dytë me 53 mbështetës, sipas të dhënave të BBC-së.

Megjithatë, fushata e tij pretendon se ai ka mbështetjen e 100 deputetëve, numri i nevojshëm për të hyrë zyrtarisht në garë. Mbështetësit e Sunak ngritën dyshime mbi këtë dhe i kërkuan ish-kryeministrit të tregonte prova. Penny Mordaunt është e vetmja kandidate që ka deklaruar zyrtarisht se janë në garë, por ajo mbetet prapa në mbështetjen me 23 deputetë.

Sunak dhe Johnson kanë kohë deri në orën 14:00, me orën lokale, të së hënës për të marrë mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve në mënyrë që të futen në garë. Nëse deputetët e partisë mbështesin vetëm një kandidat, mund të kemi një kryeministër të ri deri të hënën pasdite.

Por nëse jo, atëherë do të shkohet në një votim online të anëtarësimit të Partisë Konservatore, me rezultatin që do të shpallet të premten. Ai që do të fitojë garën për të drejtuar partinë bëhet automatikisht edhe kryeministri i ri britanik.