Falë golit të të riut Nicolo Fagioli, Massimiliano Allegri mund të marrë frymë lehtësisht pas uraganit mediatik që shpërtheu pas disfatës përvëluese ndaj Benfica-snë Champions League.

Ndeshje që Allegri e quajti “goditje të keqe” pas ndeshjes me Lecce-n. Nota pozitive mbetet padyshim performanca e mirë e autorit të golit, ndërsa ajo negative, për fat të keq, ka të bëjë me lojën akoma jo bindëse të Juventus-it.

Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Allegri bëri disa komente në DAZN. Pavarësisht se ishte i kënaqur me rezultatin, trajneri toskan vuri në dukje disa pika:

“Djemtë luajtën një ndeshje të mirë, përveç gjuajtjes së fundit që u lejuam dhe ishim me fat. Mund të kishim shënuar edhe më herët, teknikisht bëmë një ndeshje të mirë. Në pjesën e dytë patëm raste të rëndësishme, e nevojshme ishte të fitonim pas disfatës në Lisbonë”.

Më pas Allegri është ndalur te paraqitja e të riut Fagioli, i cili po mëson të luajë në një rol që nuk është i tij: “Ai ka cilësi të shkëlqyera. Ishte më i mprehtë dhe i disiplinuar për të qenë në fushë, pastaj realizoi një gol shumë të bukur”.