Dy godinat e konvikteve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilat u dëmtuan rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019, janë rindërtuar dhe janë gati të presin 400 studentë në mjedise tërësisht të reja, moderne dhe me kushte bashkëkohore. Rezidencat, të cilat ndodhen pranë tregut industrial të Medresesë, në rrugën “Ferit Xhajko”, u vizituan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ashtu si me shkollat e reja, kryeqyteti ka investuar edhe për të rinjtë që zgjedhin të studiojnë në universitetet publike të Tiranës.

“Kemi kaluar gjithë gushtin dhe fillimin e shtatorit për t’u bërë gati për shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, por siç e kërkon rendi i punëve, shtatorin dhe fillimin e tetorit e kemi shfrytëzuar për t’u bërë gati për të pritur studentët. Për ata që pyesin se ‘çfarë janë këto dy ndërtesat e bukura te “Farmacia 10”’ – shumë njerëz mendojnë gabimisht se gjërat e bukura i bën vetëm dora e privatit, pra godina me ashensorë, ndriçim LED dhe energji diellore për ngrohje – por, në fakt këto janë ndërtesa publike, janë dy godinat e reja ultra moderne me nga 200 studentë secila, për Fakultetin e Mjekësisë. Kemi zgjedhur t’i bëjmë po këtu, duke qenë se fakulteti është afër, po ashtu edhe Qendra Spitalore Universitare, ku mund të kryejnë praktikat”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se gjysmën e faturës së akomodimit të studentëve në rezidenca do të subvencionohet nga Bashkia e Tiranës, sikurse edhe aboneja studentore do të jepet falas me Kartën e Studentit.

“Siç kemi bërë me kopshtet e çerdhet, ku bashkia e subvencionon, pra paguan më shumë se gjysmën për t’u siguruar që të jetë e përballueshme për familjet, pavarësisht sa është kosto reale, së shpejti do të marrim një vendim të ngjashëm edhe për godinat studentore, që të subvencionojmë çmimin. Këshillit Bashkiak do t’i propozoj që ne të paguajmë gjysmën e faturës së studentëve, sidomos për ata që vijnë nga rrethet, që i kanë edhe kushtet më modeste. Së dyti, duam të marrim edhe një vendim për të lehtësuar transportin për studentët. E kuptoj se me rritjen e çmimit të naftës, që është diçka që nuk varet nga qeveria, as nga Bashkia, kosto e transportit ka lëvizur. Duam që të paktën studentët të mos e ndiejnë problematikën që lidhet me transportin dhe duke qenë se studentët kryesisht përdorin autobusin, jo të gjithë kanë mundësi për taksi apo për makinë private, ndaj duam ta bëjmë falas abonenë e studentit, duke treguar Kartën e Studentit,” theksoi Veliaj.

Rezidencat e reja studentore të Fakultetit të Mjekësisë kanë kapacitet prej afro 200 studentë secila. Në çdo godinë janë realizuar 79 dhoma qëndrimi të studentëve, ambientet e leximit dhe studimit.