Rreth orës 6 të mëngjesit, banorët kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme pasi mori flakë një tren dhe u dogj ura që lidh Krimenë me Rusinë. Dyshohet të jetë shkaktuar nga një kamion bombë, ka bërë të ditur Komiteti Kombëtar Kundër Terrorizmit të Rusisë. Nga pamjet duket se kamioni ka shpërthyer pranë trenit të mallrave në urën më të gjatë të Europës dhe për pasojë kanë marrë flakë 7 depozita karburanti. Ura e Kerçit është në gjendje të mbajë 40,000 makina në ditë dhe 13 milionë ton ngarkesë në vit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.

Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 227-të. Një seri shpërthimesh nga forcat ruse tronditën qytetin e Kharkiv në Ukrainën lindore. Aktualisht nuk raportohet për viktima, por raportohet se një spital është përfshirë nga flakët. Teksa rritet frika për sulm bërthamor nga Rusia, presidenti i SHBA, Joe Biden tha: “Putin nuk bën shaka kur flet për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore sepse ushtria e tij po ecën shumë keq.” Presidenti Joe Biden deklaroi se rreziku i një “Armagedoni” bërthamor është në nivelet më të larta që nga kriza e raketave në Kubë në vitin 1962.

“Nuk jemi përballur me mundësinë e Armagedonit që nga koha e Kennedy-it dhe krizës së raketave në Kubë. Përdorimi i një arme taktike me mbushje më të vogël mund të dilte me shpejtësi jashtë kontrollit dhe të sillte shkatërrim global. Nuk mendoj se ekziston diçka e tillë si mundësia për të përdorur lehtësisht një armë taktike dhe që të mos përfundojë në Armagedon”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë në një aktivitet për mbledhje fondesh të Komitetit të Fushatës Demokrate për Senatore.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka ende një kërcënim për sulm bërthamor nga Rusia. Një ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se zyrtarët rusë kanë nisur “të përgatisin shoqërinë e tyre” për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, por shtoi se ai nuk beson se Rusia është e gatshme t’i përdorë ato.