Dhunimi i dy vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj ditën e dielë në autostradë ka bërë që policia dhe prokuroria të shkojë në gjurmët e një grupi kriminal në Durrës dhe finalizimin e një operacioni që ka çuar në pranga deri tani 15 persona.

News 24 raporton se të arrestuarit janë të dyshuar për vrasje teksa operacioni erdhi pas marrjes peng të dy vëllezërve Beqiraj në autostradën Tiranë- Durrës dy ditë më parë. Mes të arrestuarve mësohet se është edhe Ilirjan Feci si dhe Alban Hajdari. Grupi kriminal dyshohet se kishte në shënjestër edhe Aleksandër Lahon apo i njohur “Rrumi”, i cili i mbijetoi atentatit ndaj Prokurorit Arjan Ndoj disa vite më parë.

Sipas News 24 dyshohet që grupi kriminal të jetë i përfshirë dhe në një ngjarje të ndodhur në Don Bosko me një të vrarë dhe katër të plagosur. Sipas burimeve, mësohet se vëllezërit Beqiraj pas ngjarjes së ndodhur në autostradë, kanë bërë denoncim në Polici dhe kanë rrëfyer se janë pjesë e një grupi kriminal dhe që kishin për qëllim monitorimin e lëvizjeve të shtetasit Aleksandër Laho, apo i ashtuquajturi “Rrumit të Shijakut”.

Po ashtu edhe dy vëllezërit Beqiraj janë vënë në pranga nga policia pas rrëfimit të tyre për qëllimin e grupit kriminal ku bënin pjesë.