Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, tha se buxheti i vitit 2023 vijon të financojë programin për modernizimin e infrastrukturës të shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor në ato spitalor me synim rritjen e cilësisë së ofrimit shëndetësor për qytetarët, duke kapur vlerën 3.5 miliard lekë.

“Përfundojmë rehabilitimin e Spitalit Pediatrik në QSUT, fazën e dytë. Fillojmë projektin e rehabilitimit të Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe atij Psikiatrik në QSUT. Dhe gjithashtu nisim dhe rehabilitimin e spitaleve rajonale të Dibrës, Lezhës dhe Spitalit Bashkiak të Krujës. Fillojmë rehabilitimin dhe pajisjen për poliklinikave në spitalet rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit dhe finalizojmë rikonstruksionin për poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës. Përfundojmë rehabilitimin e Spitalit Rajonal Kukës të fazës së tretë të tij”, tha Manastirliu.
Buxheti i vitit 2023 do të mbështesë rehabilitimin e 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave duke e çuar numrin e tyre në 400 që nga fillimi i programit.
“Me programin e rehabilitimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave sigurojmë rehabilitimin e 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave për vitin 2023 duke i çuar në 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca të rehabilituara që me fillimin e këtij programi”, tha Manastirliu.

Buxheti i vitit 2023 do të financojë gjithashtu: Rehabilitimin dhe pajisjen për poliklinikave në spitalet rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit dhe finalizojmë rikonstruksionin për poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës. Përfundimin e rehabilitimit të Spitalit Rajonal Kukës të fazës së tretë të tij. Përfundon faza e parë të rindërtimit të Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe nis projekti e rehabilitimit të fazës së dytë të këtij projekti. Ndërtohet për të parën herë Qendra laboratorike të Institutit të Shëndetit Publik në fazën e parë të tij dhe më pas shtrihet në rehabilitimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe pajisjen e tij. Përfundon rikonstruksioni dhe pajisja me aparatura bio-mjekësore të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.