Nga Mero Baze/

Sali Berisha ka vendosur një vijë të kuqe për kandidatin e opozitës për Tiranën i cili sipas tij duhet të jetë figurë politike, pasi mbledh më shumë vota. Si për ta ilustruar këtë përmend rastet kur PD e ka fituar Tiranën me kandidaturë politike.

Në fakt në gjithë historinë e saj kandidatin fitues për Tiranën nuk e ka përcaktuar kandidati politik, por politika e bashkimit rreth një kandidati.
PD e ka humbur tre radhazi bashkinë përballë Edi Ramës i cili nuk vinte nga politika, por politika e majtë u bashkua rreth tij. Madje Ramës ja morën bashkinë pikërisht kur u bë politikan i rëndësishëm i vendit.

Rasti i Brojkës dhe Klemendit në dy mandatet e para të viteve 90, ishin më shumë emërime se sa zgjedhje, pasi PD e zotëronte Tiranën në fillim politikisht, e më 1996 forcërisht.

Rasti i Avokat Ngjelës nuk është ashtu siç thotë Berisha, por e kundërta. Vet Ngjela nuk pretendon që votat ja ka vjedh Rama, pasi me të e zgjidhi me gjykatë. Ai pretendon se zgjedhjet ja ka shitur Sali Berisha. Dhe për këtë më është dashur të jem dëshmitar në një ballafaqim të sikletshëm mes tyre, për festën e vitit të ri më 1 Janar 2004, dy javë pasi zgjedhjet kishin përfunduar raundin e dytë në Dhjetor, ku Ngjela pretendonte se Berisha kishte bërë pazar me njerëzit e Ramës për të marrë pes apartamente atje ku jeton sot dhe për të shitur zgjedhjet.

Maksimumi i votave të PD për një kryetar bashkie kanë qenë ato të Lulzim Bashës që bashkoi përveç PD dhe një koalicion të majtë me në krye LSI, madje dhe me Hysni Milloshin.
Pra e vetmja formulë që çon në sukes këtë opozitë është një kandidat i shoqërisë civile i mbështetur nga çdo fraksion opozitar.

Por Sali Berisha e di mirë se kjo nuk do të ndodh. Ai e di mirë që nuk formon dot një koalicion opozitar. Ai e shikon me sytë e vet, se koalicioni ka vdekur, dhe po kërkon të emëroj kandidat dikë nga fraksioni i vet me shpresë që ai të marrë më shumë se të tjerët dhe ai të fitoj brenda opozitës por jo në garën për Tiranën.

Në një farë mënyre ai e shikon garën për Tiranën si garën e 6 Marsit, ku kërkonte të mundte Lulzim Bashën e jo Edi Ramën. Këtë radhë me sa duket do të mund Ilir Metën.

Kjo shpjegon gjithë refuzimin e tij për një kandidaturë jo politike. Argumentet që jep janë tërësisht fals dhe të pavërteta. Madje janë kundër tij.

E vërteta e vetme është se Sali Berisha nuk po ja de dot të bashkoj opozitën madje as PD dhe për të shpëtuar nderin e vet do shkoj tek kandidatura e tipit Edi Paloka për të marrë maksimumin e budallenjve të vet dhe ti “mund” ata që nuk donin koalicion. Dhe kësaj mund t’ia dal.