Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) arritën sot një marrëveshje për paketën e tetë të sanksioneve ndaj Rusisë. Presidenca çeke e BE-së njoftoi sot se ambasadorët e vendeve anëtare kishin arritur një marrëveshje politike për sanksionet e reja ndaj Rusisë. Sipas deklaratës së presidencës çeke, sanksionet janë një përgjigje e fortë ndaj aneksimit të paligjshëm të disa rajoneve të Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin. Paketa e tetë e sanksioneve do të hyjë në fuqi pasi të miratohet dhe publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së.

“Unë mirëpres marrëveshjen e miratuar sot nga shtetet anëtare për paketën e tetë të sanksioneve. Kemi ecur shpejt dhe me vendosmëri. Ne kurrë nuk do të pranojmë referendumet e rreme të Putinit dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me sanksionet ndaj Kremlinit”, tha presidentja e Komisionit Evropian (BE), Ursula von der Leyen ne Twitter.

KE-ja propozoi paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë javën e kaluar. Në kuadër të paketës së re të sanksioneve, e cila kërkonte miratimin nga 27 vende anëtare të BE-së, disa individë dhe organizata do të shtohen në listën e sanksioneve dhe do të vendosen disa kufizime në tregtinë dhe importet e naftës. Paketa përfshin një tavan të çmimeve për shitjen e naftës ruse në vendet e treta.