Edhe demokratët që mbështesnin Lulzim Bashën duket se po i bashkohen Rithemelimit. Këtë e tregon një postim i Sali Berishës në Facebook, ku publikoi fotografi me selinë e PD të degës së Durrësit. I pranishëm ishte dhe Luan Hoti, i cili garoi për kryetar të Bashkisë së Durrësit me PD e drejtuar nga Basha në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Berisha shkruan se e falenderon për aktin e bashkimit të demokratëve të Durrësit. Gjithashtu shprehet se diskutuan për përgatitjen e protestës së 12 nëntorit dhe procesin e primareve.

“Në këtë takim falenderova drejtuesit dhe anëtarët e degës së PD-së Durrës për punën e tyre, në veçanti falenderova z. Luan Hoti për aktin e tij të përgjegjshëm dhe fisnik në kontributin për të bashkuar të gjitha përpjekjet e të gjithë demokratëve të Durrësit për të shpëtuar Durrësin dhe Shqipërinë nga regjimi monist i korruptuar i Edi Ramës, si dhe ftova çdo demokrate e demokratë të Durrësit që të bashkuar të japin kontributin e tyre në këtë moment vendimtar për fatin e demokracisë në Shqipëri. Në takim u diskutua për përgatitjen e protestës madhështore të datës 12 nëntor dhe primareve dhe zgjedhjen e kandidatit për qytetar të parë të Durrësit”, shkroi Berisha.

Ndërkohë është zhvilluar vetëm një takim mes 2 të mandatuarve Gazment Bardhi dhe Edi Paloka për të sjellë bashkimin e PD në mënyrë që të shkojnë në zgjedhjet e 14 majit me kandidat të përbashkët.