Antoine Griezmann edhe zyrtarisht është futbollist i Atletico Madridit.

Klubi nga kryeqyteti spanjoll ka njoftuar këtë të hënë për marrëveshjen e arritur me Barcelonën për blerjen e francezit. Griezmann me Atletico Madridin ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.

31-vjeçari nga vera e vitit 2021 dhe deri më sot kishte luajtur për madrilenët si i huazuar nga Barcelona. Atletico ka paguar 20 milionë euro për transferimin e reprezentuesit të Francës, teksa 4 milionë euro tjera janë të parapara për t’u paguar në formë bonusesh.