Giorgio Armani nuk është gjithmonë i lumtur. Gjithmonë ndjen një lloj pakënaqësie ndaj vetes, që nuk nguron t’i thojë. “Duhet të harroj që jam 88 vjeç, përndryshe, mbaroi. Duhet të provoj sikur kam filluar sot, dhe ky është një problem sepse kur zgjohem në mëngjes, jam 88 vjeç, gjë që është shumë e vështirë”. Edhe pas gjithë kësaj kohe, me perandorinë globale, miliarda dollarët, çmimet, ai jeton në një gjendje pakënaqësie të përhershme.

“Nuk jam i kënaqur, sepse dua që puna ime aktuale të vlerësohet, të mos ketë çmim për atë që kam bërë, për diçka të kaluar. Kjo është ajo që më zgjon çdo mëngjes. Më duhet ende të provoj veten time.” Kurrë në jetë nuk ka ëndërruar kaq shumë, dy-tri ëndrra në natë. “Ndonjëherë ëndërroj të bëj një sfilatë të bukur mode dhe kur zgjohem, jam shumë i zemëruar sepse ishte vetëm një ëndërr.” Edhe në gjumë e ndjek pakënaqësia.

Ne jemi ulur në një dhomë ngjitur me kopshtin, me ndihmësin e tij Paul dhe përkthyesen Anushka. Në një moment, Armani thotë se i pëlqen theksi im (“australiano-britanike” e quan ai, vetëm 1300 milje larg nga vendlindja ime Zelanda e Re). “Më bën vërtet të vuaj që nuk di të flas anglisht. Do të kisha dashur ta mësoja atë.” Por gjithmonë më ka habitur se sa i drejtpërdrejtë është ai në intervista, dhe supozoj se kjo është për shkak se ai është në gjendje të shprehet me qartësi të plotë kur flet në gjuhën e tij amtare. Në mur është një vepër masive e artistit italian Silvio Pasotti. Është një përzierje surrealiste e historisë së modës, stilistëve, modeleve, kopertinave të revistave të kolazhuara me imazhe ikonike si fotografia e Helmut Neëton e Karl Lagerfeld me një kostum banje të zezë.

Ne po flasim një javë përpara se Armani të shfaqë koleksionet e tij Pranverë-Verë 2023. Ngarkesa e punës për të mbetet e pandryshuar. E pyes se si fillon çdo sezon për të. “Me një copë letre të bardhë dhe duart në kokë”, thotë ai i hidhëruar. “Pastaj unë heq atë që nuk më pëlqen nga sfilatat e kaluara. Dhe shikoj se çfarë po ndodh në këtë moment. Shikoj punën e kolegëve të mi. Ndonjëherë habitem pozitivisht, shumë herë negativisht.” Armani është shumë gjykues. Për momentin, ai nuk është i befasuar pozitivisht. Por kur “e sotmja” përkufizohet nga një luftë, një pandemi, paqëndrueshmëri e shfrenuar politike dhe financiare dhe, mbi gjithçka tjetër, katastrofa mjedisore, çfarë është saktësisht “e drejtë”?

Lufta në Ukrainë ka goditur rëndë Armanin. Ai ka si referencë përvojën e tij të fëmijërisë së Luftës së Dytë Botërore. Ai u rrit në Piacenza, një qytet i vogël në juglindje të Milanos, dhe ka kujtime të gjalla për t’u strehuar në kinemanë lokale gjatë sulmeve të bombardimeve. Kur ishte 9 vjeç, ai dhe miqtë e tij gjetën një qese me barut. Teksa po luanin me të, ajo shpërtheu. Ai kaloi gjashtë javë në spital në prag të vdekjes. Legjenda thotë se lëkura e njërës këmbë mban ende gjurmën e shtrëngimit të këpucëve të tij.

“Kur shikoj lajmet dhe shoh një vuajte kaq të madhe, më duket sikur ajo që po bëj nuk ka kuptim në ditët e sotme”, thotë Armani. “Këtu është e vështirë për punën time, por duhet ta mposht këtë ndjenjë, këtë lloj frenimi që kam që nuk më mundëson të krijoj. Kam një shembull: shfaqjen e fundit të grave, atë që vendosa të tregoj. Pa muzikë, vetëm pak ditë pasi kishte filluar lufta, bëra një konferencë për shtyp në këtë sallë, më pyetën për modën dhe në atë moment nuk mund të flisja për të”.

Për gati 50 vjet, motivimi i tij kryesor ka qenë ky: “Është e rëndësishme të mos jetosh nga nostalgjia, të mos bësh asgjë pa pagesë dhe, më e rëndësishmja, të inovosh, por gjithmonë të kesh parasysh se duhet të përpiqesh, të bësh që burrat dhe gratë të ndjehen mirë në rroba. Mos harroni kurrë se ky është qëllimi kryesor. Unë mund të ndihmoj më mirë jetën e klientëve të mi në këtë mënyrë.” Ky ka qenë edhe ngushëllimi i tij në periudhat më të vështira të jetës së tij.