Sulmuesi argjentinas Mauro Icardi ka kaluar në huazim te Galatasaray deri në fund të sezonit, ndërsa bashkëshortja dhe menaxherja e tij, Wanda Nara i kishte vendosur gjashtë kushte klubit turk për ta kompletuar transferimin.

Wanda fillimisht kërkoi një shofer privat, i cili do të jetë në dispozicion të Icardit dhe të gjithë familjes 24 orë në ditë dhe gjithashtu dëshiron një kuzhinier privat familjar. Ajo kërkoi gjithashtu edhe bodyguardë të përhershëm për t’u kujdesur për ta dhe një shtëpi të siguruar plotësisht,- shkruan Mundo Deportivo.

Në listën e Wandas ishte gjithashtu një hotel me pagesë, ku ata do të qëndronin deri në dhjetor, kur të zhvendoseshin në shtëpinë e dëshiruar, deri sa të gjenin edhe një shkollë të përshtatshme për fëmijët e tyre.

Mediat turke shtojnë, se drejtuesit e klubit u tronditën nga kërkesat e Wandas. Deri tani në karrierën e tij, sulmuesi argjentinas Mauro Icardi ka luajtur për të rinjtë e Barcelonës, Sampdorian, Interit dhe PSG-së, tek të cilët do të rikthehet pas skadimit të huazimit në Turqi. Ai ka luajtur vetëm tetë ndeshje për kombëtaren argjentinase, ku ka shënuar vetëm një gol.