Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino vizitoi sot Shqipërinë me rastin e 90-vjetorit të anëtarësimit të federatës në institucionin e futbollit botëror, por edhe për shkak të inaugurimit të zyrave të reja të FSHF-së, pjesë e të cilës janë edhe fusha stërvitore. Gjatë kësaj vizite Infantino u ndal fillimisht në kryeministri, ndërsa më pas bashkë me kryemnistrin Rama dhe presidentin e FSHF-së Armando Duka, u zhvendosën te ‘Shtëpia e Futbollit’ e ndërtuar te ish-kompleksi Dinamo. Presidenti i FIFA-s pa nga afër zyrat e reja dhe u njoh me historinë e Shqipërisë ndër vita, ndërsa shpesh udhërrëfyes u bë kryeministri Rama. Në këtë inaugurim nuk munguan as shakatë, me kryeministrin Rama, i cili ngacmoi presidentin Duka në lidhje me investimet në futboll. Teksa tregohej një tabelë me investimet në stadiumet shqiptare vihej re një rritje e konsiderueshme në kohën kur vendin e drejton Partia Socialiste. Menjëherë Rama iu drejtua Infantinos duke thënë: “Shife këtë garfikë. Këto janë investimet në futboll të partisë (PD) që voton Duka, ndërsa këto janë në periudhën time.”