Ministri i Financave të Kosovës është qëlluar me miell këtë të shtunë në Prishtinë. Video e momentit që qëllohet është publikuar në llogarinë në Facebook të Dardan Molliqajt, kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, dikur anëtar i Vetëvendosjes.

“Aksion simbolik për punëtorët. Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedentë që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë”, shkroi Molliqaj në Facebook.

Reagimi vjen si pasojë e një vendimi të ministrit Murati për të mos kaluar pagat e muajit gusht për nëpunësit në sistemin arsimor dhe nëpunës civilë në institucionet lokale dhe qendrore të cilët kanë zhvilluar një grevë.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve është marrja e pagesës prej 100 eurosh, si ndihmë për rritjen e përgjithshme të çmimeve. Paketa e miratuar nga qeveria përfshin vetëm pensionistët.