Kuba ka mbetur krejtësisht pa energji elektrike pasi Uragani Ian goditi pjesën perëndimore të ishullit, njoftoi Qeveria kubaneze. Sistemi elektrik kolapsoi tërësisht, thanë zyrtarët, pasi një prej termocentraleve kryesore nuk mund të kthehej në funksion. Dy persona raportohet se kanë vdekur dhe në mbarë vendin janë shkatërruar ndërtesa. Uragani Ian është i kategorisë së tretë, me erëra që arrijnë shpejtësinë prej 195 kilometrash në orë. Tani Ian është nisur drejt Floridës së Shteteve të Bashkuara.

Kreu i autoritetit për energji elektrike në Kubë tha për televizionin shtetëror se 11 milionë persona kanë mbetur pa energji elektrike pasi i tërë sistemi elektrik ka dalë jashtë funksionit. Pronari i kompanisë së njohur të cigareve Finca Robaina, postoi fotografi në rrjetet sociale të shkatërrimit të shkaktuar nga uragani. “Është apokaliptike, një katastrofë e vërtetë”, tha Hirochi Robaina.

Meteorologët kanë paralajmëruar se disa rajone të Kubës mund të përballen me 30 centimetra shi për shkak të Uraganit Ian. Presidenti i Kubës, Miguel Diaz Canel, ka vizituar provincat e prekura dhe është zotuar se shteti do të ndihmojë qytetarët. Uragani ka fituar forcë në Gjirin e Meksikës, pasi është larguar nga Kuba, tha Qendra Kombëtare për Uragane e Shteteve të Bashkuara. Të martën mbrëma, stuhia kaloi përmes ishujve në jug të Floridës, teksa pritet që uragani të arrijë në bregun perëndimor të Floridës më vonë gjatë të mërkurës.

Qendra Kombëtare për Uragane e SHBA-së tha se Uragani Ian mund të bëhet stuhi e kategorisë së katërt kur të godasë Floridën, me erëra të fuqishme. Rreth 2.5 milionë banorë në Floridë janë urdhëruar që të evakuohen.mGuvernatori i Floridës, Ron DeSantis, paralajmëroi se Uragani Ian do të jetë një stuhi e madhe, teksa shpalli gjendje të jashtëzakonshme në këtë shtet gjatë fundjavës. Po ashtu, ai urdhëroi aktivizimin e 5.000 trupave të Gardës Kombëtare.

Zona e Tampas do të mund të përballet me goditjen e parë direkte nga një uragan që nga viti 1921, thanë zyrtarët, dhe valët e detit mund të arrijnë deri në tri metra lartësi. Edhe shteti i Gjorgjias ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka aktivizuar 500 trupa të Gardës Kombëtare. Shtëpia e Bardhë po ashtu ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, që do të ndihmojë shtetet dhe zyrtarët federalë të koordinohen për përpjekjet gjatë kësaj fatkeqësie natyrore, por do të ndihmojë edhe me dërgimin e ndihmave.Teksa SHBA-ja po përgatitet për Uraganin Ian, Karaibet po përballen me efektet shkatërruese të Uraganit Fiona, që goditi këtë rajon javën e kaluar./REL