Trajneri i përfaqësueses shqiptare Edi Reja, është shfaqur sot para mediave për konferencën e zakonshëm për shtyp para sfidës ndaj Islandës. Ai e ka cilësuar këtë sfidë të rëndësishme edhe pse nuk është më në lojë vendi i parë, ndërsa ka saktësuar se pret një reagim nga skuadra pas disfatës në Izrael.

“Kemi rreshtuar disa herë cilat janë arsyet e situatës. Unë shpresoja që në këtë Ligë Kombesh të rriteshim, e kemi bërë se kemi bërë edhe miqësore që kanë shkuar mirë, kemi bërë paraqitje të mira. Prisja rritjen e cilësisë, por për fat të keq duhet të diskutojmë përsëri gabimet që nuk bëhen nga reparti, por individi. Që kur jam këtu kemi lëshuar shumë herë. Kundërshtarët e kanë shfrytëzuar shumë mirë gabimin tonë. Nëse duam të rritemi duhet të jemi bashkë e diskutojmë këto situata që shfaqen që të mbërrijmë te momenti që të mos përsëriten këto gabime. Është e kotë që të rreshtojmë gabimet në ndeshjen ndaj Izraelit, ishin shumë. Dy golat u dhuruan, pastaj edhe te barazimi i lamë hapësirë në kundërsulm e nuk duhet të ndodhë. Kur je në fushë duhet të përdorësh kokën, futbolli është i bërë nga ekuilibri, të cilën ne e humbëm totalisht ashtu si edhe ndeshjen. Po ndodh vazhdimisht por nuk arrijmë t’i përmirësojmë, është e kotë të flasim.

Formacioni? Ndonjë ndryshim do të ketë se kur ka ndeshje çdo tre ditë, duhet të shoh gatishmërinë, ka ndonjë problem fizik, por të shohim ta zgjidhim nesër. Kam folur me mjekun dhe kemi diçka të vogël, por uroj të kem të gjithë në dispozicion. Pastaj ka ndonjë të lodhur, se ka disa lojtarë që kanë luajtur pak me klubet e tyre, me këto ndeshje me intensitet ndokush e ndjen më shumë. Ta shohim nesër dhe si ndjehen, nëse ndjehen mirë do të bëj zgjedhje, përndryshe do të aktivizoj ata që nuk luajtën ndaj Izraelit. Ndaj do të shoh e verifikoje edhe modulin në bazë të lojtarëve”, tha Reja.