Shkelje flagrante të normave të sjelljes në hapësirën kibernetike. Kështu e ka konsideruar Kryeministri Rama, sulmin kibernetik të sponsorizuar dhe orkestruar nga Republike Islamike e Iranit.

Kjo është arsyeja pse, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Qeveria e Shqipërisë nuk pati zgjidhje tjetër veçse të shkëpusë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Rama theksoi se “shpresojmë që kjo masë ekstreme e detyruar të jetë një shembull dhe një pengesë për këdo që mbështet ose sponsorizon veprime të tilla të neveritshme kundër shteteve sovrane”.

Rama në OKB: Në një kohë kur një mori krizash e kanë vënë botën në trazira, duke përfshirë kërcënimet e papranueshme bërthamore, dëshiroj të tërheq vëmendjen e Asamblesë për një çështje tjetër thelbësore të lidhur ngushtë dhe me ndikim të madh mbi paqen dhe sigurinë: sigurinë kibernetike. Teknologjia në ditët e sotme është pjesë e çdo aspekti të jetës sonë. Në Shqipëri 95% e shërbimeve për qytetarët dhe biznesin ofrohen online. Këto sisteme miqësore për përdoruesit kursejnë kohë, energji dhe përmirësojnë në mënyrë drastike efikasitetin, cilësinë dhe janë mjeti më i mirë për të eliminuar korrupsionin endemik.

Por, korrikun e kaluar, Shqipëria ishte objektivi i një sulmi kibernetik të paprovokuar. E gjithë infrastruktura dixhitale e qeverisë ishte nën një sulm të vazhdueshëm dhe të koordinuar, me synimin e qartë për ta shkatërruar atë, për të paralizuar shërbimet publike dhe për të vjedhur të dhëna dhe komunikime elektronike nga sistemet qeveritare, për të krijuar kaos dhe për të nxitur tensionin në vend.

Një hetim i gjatë dhe i thelluar, i kryer në bashkëpunim me ekspertizën më të mirë botërore mbi terrorizmin kibernetik, ka konfirmuar tashmë, pa asnjë dyshim, se sulmi kibernetik që donte të gjunjëzonte një vend sovran, ishte një agresion i sponsorizuar nga shteti, orkestruar dhe realizuar nga Republika Islamike e Iranit.

Kjo është arsyeja pse, përballë një shkeljeje kaq flagrante të normave të sjelljes së përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike në kohë paqeje, të cilat përfshijnë përmbajtjen nga dëmtimi i infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun, Qeveria e Shqipërisë nuk pati zgjidhje tjetër veçse të shkëpusë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Shpresojmë që kjo masë ekstreme e detyruar të jetë një shembull dhe një pengesë për këdo që mbështet ose sponsorizon veprime të tilla të neveritshme kundër shteteve sovrane. Ne i nxisim Kombet e Bashkuara, duke përfshirë Këshillin e Sigurimit, të fokusohen më seriozisht dhe konkretisht në adresimin e sigurisë kibernetike duke investuar në parandalimin dhe duke ndihmuar Shtetet Anëtare të ndërtojnë rezistencë.