Nga Mero Baze/

Ka 24 orë që në Shqipëri nuk ka më asnjë anti-amerikan. Mjaftoi një lajm i paqartë rreth parave ruse dhe Lulzim Bashës, që dy bajlozët e frontit anti-aemrikan në Shqipëri, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të linin në mes revolucionin anti-amerikan të fshehur pas emrit të Luzlim Bashës dhe tani t’i suleshin Lulzim Bashës të maskuar si pro-amerikanë.

Ka 24 orë që Berisha dhe mbështetësit e tij, janë duke zbuluar se partia e tyre ka marrë pare ruse, por ata nuk kanë ditur gjë.

Sot partia e Ilir Metës hodhi dhe një hap më tej. Pas takimit me ambasadoren e SHBA Yuri Kim në KQZ, Kryemadhi u përpoq të lërë të kuptojë se Rama dhe Basha janë të dyshuar në këtë histori.

Në fakt, ambasadorja duke përmendur kërcënimin që sjell financimi i fshehtë politik rus, theksoi “rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, rregjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave.”

Ky paragraf më shumë se sa për Lulzim Bashën apo Edi Ramën, ngjante për Ilir Metaj dhe LSI, e cila ka së paku dy çështje në SPAK, njëra për financim fushate nga një kompani e huaj në Qipro, e padeklaruar në Tiranë, dhe e dyta një çështje për pastrim parash korrupsioni për aktivitete të LSI.

Çështja e parë është ajo që ka të bëjë me financimin e LSI në vitin 2016- 2017, lidhur me lobimet e Metës në SHBA. E thënë shkurt, ka një mospërputhje mes deklarimeve të tij në KQZ dhe deklarimeve në SHBA rreth shumave të paguara. Në këtë rast, për llogari të LSI është paguar nga një kompani offshore nga Qipro.

Tani Ilir Meta duhet të pranojë se ka mashtruar me deklarimet në KQZ dhe për këtë duhet të marrë penalitetet e parashikuara nga ligji shqiptar, ose do të mbrohet me argumentin që nuk ka përgjegjësi për paratë që një kompani qipriote paguan për LSI në SHBA, në emër të saj, por që nuk e bën dot, pasi ka kontratë pagese me këtë shoqëri nga një zyrtar i lartë i LSI.

Kjo e përball Ilir Metajn edhe me mos deklarimin e saktë të financimit të fushatave, edhe me financime të huaja. Ligji shqiptar nuk lejon financimin e partive politike shqiptare nga organizata të huaja.

Po ashtu në SPAK është dhe një dosje akuzash se si një i afërt i familjes Metaj, i punësuar në një vend kyç pranë një koncesionari të huaj në Shqipëri, ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat më pas janë adresuar si ndihmë për fushatën elektorale të LSI.

Por tani kjo është çështje e drejtësisë. Çështja politike është magjia që solli ky debat.

Brenda 24 orësh gara në Shqipëri nuk është më mes frontit amerikan dhe partive me orientim perëndimor, por një garë se kush është më shumë pro amerikan dhe kush ja ka pas me hile Perëndimit dhe sidomos SHBA-së.

Dhe gjithë këtë “mrekulli” e solli Lulzim Basha vetëm me përmendjen e emrit të tij.

I njëjti njeri që me atë që bëri një vit më parë më 9 shtator, duke përjashtuar Sali Berishën, ngriti dallgën më të madhe anti-amerikane në vend, një vit më pas vetëm se ju përmend emri për keq, e fshiu si me magji anti-amerikanizmin dhe sot ne kemi në radhë Berishën, Metën, Monikën, madje dhe Shkëlzenin me TV e tij pro SHBA. Dhe hajde mos besoni tek rikthimet pastaj.