Aktorja legjendare greke, me origjinë shqiptare, Irene Pappas, e cila luajti në mbi 70 filma në një karrierë mbi 50-vjeçare, është ndarë nga jeta sot në moshën 96-vjeçare. Njoftimin e ka dhënë Ministria e Kulturës e Greqisë. Në karrierën e saj të gjatë, ajo u konsiderua një simbol thelbësor i bukurisë dhe një përfaqësuese e famshme e kulturës mesdhetare jashtë vendit, duke interpretuar role të forta femërore në teatër dhe kinema.

Pappas, emrin e vajzërisë Irene Lelekou, lindi më 3 shtator 1926 në fshatin Chiliomodi, jashtë Korintit, Greqi. Familja e saj u transferua në Athinë kur ajo ishte shtatë vjeç, ku, si adoleshente, ndoqi Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik në Athinë.

Origjina shqiptare e aktores së njohur është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë.

“Nuk mund të largohem nga kjo botë, e të mos e them të vërtetën, se unë jam Shqiptare! Kur kam lindur në vitin 1926 mbiemri im ka qenë Irene Leleku”- ishte deklarata e fortë e aktores 6 vite më parë, që tronditi Grekët, të cilët e njohin si aktore me origjinë helenase.

Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.Vetë aktorja në një intervistë e pyetur se përse ishte kaq esmere është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Nëna ime ishte ezmere si unë”.

Ajo filloi karrierën e saj të aktrimit në Greqi në teatër përpara se të kalonte në film në vitin 1951. Filmi i saj i parë ishte një pjesë e vogël në 1948 “Engjëjt e rënë” të Nikos Tsiforos, ndërsa portretizimi i roleve të titullit në “Antigone” të George Tzavellas (1961) dhe të Michael Cacoyannis Electra (1962) fitoi vlerësimin e saj kritik.

Në vitin 1961 Pappas luajti në The Guns of Navarone dhe në 1964 në ‘Zorba the Greek’ të Cacoyannis, që e katapultoi atë në një yll ndërkombëtar. Një nga paraqitjet e saj të fundit në film ishte në Mandolin e kapitenit Corelli në 2001. Pappas fliste rrjedhshëm edhe italishten, duke marrë role teatrore dhe duke bërë shumë filma në vend.

Kundërshtimi i saj ndaj diktaturës ushtarake të Greqisë (1967-1074) e dërgoi atë, së bashku me artistë të tjerë, në mërgim në Itali dhe Nju Jork dhe u kthye kur ra junta. Në vitin 2018 u njoftua se ajo vuante nga sëmundja e Alzheimerit për pesë vjet.