Serbia ka nënshkruar një marrëveshje te re bashkëpunimi me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Ministri i Jashtëm I Serbisë, Nikola Selakoviç, nënshkroi marrëveshjen të premten me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Kjo marrëveshje është realizuar në ambientet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një periudhë ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë. Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takua me ministrin Lavrov në Nju Jork dhe të dy “theksuan përqendrimin e përbashkët në zhvillimin e mëtejshëm dinamik të marrëdhënieve ruso-serbe”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar ashpër duke e cilësuar marrëveshjen si një skandal të rëndë. “Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunim në të ardhmen me agresorin rus. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, thuhet ne deklaratën e von Cramon. Serbia zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por vijon te këtë marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk ka pranuar që t’i bashkohet sanksioneve kundër Moskës pas agresionit në Ukrainë.