Nga Mero Baze/

Ilir Meta/Metaj, nuk ishte në gjendje të jepte një përgjigje përse dështoi “Revolucioni i Shtatorit”, aq shumë i paralajmëruar gjatë gjithë verës. Protesta e tij tek inceneratori i Tiranës, praktikisht dërgoi në varrezat e Sharrës shpresat e opozitës për bashkim dhe një betejë të përbashkët në shtator.

Të dy bashkë, Berisha dhe Meta/Metaj, me sa duket duan të vënë në provë njëri- tjetrin para se të bashkohen. Duke mos i besuar njëri- tjetrit, ata duan të testojnë njëri- tjetrin me prova besnikërie konkrete.

Konkretisht Meta/Metaj, do të vërë në provë Berishën, nëse ai do të mbështesë ligjin e bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit, që praktikisht e përjashton Meta/Metaj nga politika. Krahu i Lulzim Bashës e ka mbështetur atë parimisht.

Sidoqoftë Meta/Metaj nuk kërkon që Berisha ta shpëtojë me votë, por ta rreshtojë atë në anën e vet në këtë betejë, që të mos duket një i mbytur i dëshpëruar, që nuk i jep dorën askush në orët e tij të fundit politike.

Prova që duhet të japë Berisha për Meta/Metaj është që ai të sulmojë qëndrimin e krahut të Lulzim Bashës, si i dirigjuar nga Edi Rama dhe t’i kompleksojë ata, me qëllim që të heqin dorë nga projektligji i cili kërkon në fakt 84 vota për të bërë ndryshimin në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin për integritetin e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.

Berisha mund t’i japë kohë vetes dhe disa javë të mendohet për këtë çështje dhe deri atëherë mos prisni një opozitë të bashkuar.

Si kundërpërgjigje ndaj Berishës, nëse nuk e mbështet, Meta/Metaj duket se do ta vazhdojë strategjinë e tij të sabotimit të bashkimit të opozitës, duke e shfryrë gjithë aksionin opozitar të Berishës dhe duke e lënë atë rrugëve si një fraksion i dëshpëruar i demokratëve.

I pari duhet ta hedhë hapin Berisha dhe duhet t’i dalë zot Metës jo vetëm tek ligji i dosjeve, por dhe tek paditë që i janë bërë në SPAK, me së paku katër çështje. Nëse Berisha nuk e bën, ai do të vazhdojë të vuajë krizën e mosbashkëpunimit opozitar të Metës, të cilët të dy më vete, sa më të fortë që bëjnë, aq më pak janë.

Zakonisht opozitat i bashkojnë parimet dhe kauzat e përbashkëta. Por kjo ndodh kur liderët opozitarë janë politikanë të lirë dhe jo politikanë me halle familjare. Berisha e Meta/Metaj janë politikanë me halle personale, ndaj dhe ngjizja e tyre në një koalicion, nuk mund të bëhet pa sakrifikuar për hallet e njëri- tjetrit. Është kjo arsyeja përse ata nuk bashkohen dot pa dhënë prova besnikërie publike ndaj njëri- tjetrit.

Është pak a shumë si në organizatat e mafies, që nuk të pranojnë po që se nuk vret dikë nga të tutë, për t’u bërë i besueshëm. Berisha nuk është se ka ndonjë mëshirë për të dhënë prova kundër Alibeajt apo Bashës, por në fakt më shumë se vrasje e tyre, kjo është vetëvrasje e tij. Ashtu siç i duhet Meta/Metajt.