Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian për të sanksionuar zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion. Ashtu sikurse e ka paralajmëruar edhe më parë, Balla edhe kësaj here tha se ish kryeministri Sali Berisha do të shpallet ‘Non Grata’ nga BE. Referuar deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila ka paralajmëruar sanksione për politikanët e përfshirë në korrupsion, Balla u shpreh sot në seancën plenare se ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian.

“Gjej rastin të përshëndes tashmë vendimin e Komisionit Europian për të vijuar dhe ata në modelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar për të sanksionuar personat e përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë. Mendoj se do të ishte gjëja e duhur që Komisioni Evropian të ecë sa më shpejt në këtë drejtim. Rasti më flagrant është rasti i ish-kryeministrit të këtij vendi, i cili është shpallur non-grata nga SHBA dhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe së shpejti dhe nga Bashkimi Evropian.”- tha Balla.

Pjesë e listës së zezë në SHBA ashtu edhe në Britaninë e Madhe, Sali Berisha pritet ta ndjekë i njëjti fat edhe në Bashkimin Evropian. Në deklaratën e saj, presidentja e KE-së tha qartë se BE nuk do të lejojmë që autokratët e korruptuar të sulmojmë demokracitë tona si ‘kalë troje’ nga brenda. Kujtojmë se Berisha u shpall Non Grata vitin që lamë pas nga SHBA-të dhe vetëm dy muaj më parë nga Britania e Madhe, të gjitha sanksionet dhe akuzat ish kryeministri i ka hedhur poshtë duke ia hedhur ‘mëkatet’ e tij George Soros, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.