Situata në kampin bavarez vazhdon ende të ziejë, pavarësisht ndërprerjes së aktiviteteve në rang klubesh, aty ku kriza e Bajernit po thellohej javë pas jave në Bundesligë. Hasan Salihamixhiç nuk ka kursyer askënd në deklaratën e fundit për “BamS”: “4 ndeshjet e fundit në Bundesligë i përkasin së kaluarës, fokusi ynë mbeten takimet e ardhshme dhe elementi i përgjegjshmërisë do të jetë specifik te kushdo.

Të gjithë e dimë se çfarë janë të aftë të bëjnë lojtarët e Bajernit, synimi është rikthimi i menjëhershëm në ndeshjet vijuese. Karakteri, lakmia dhe qëndrueshmëria duhet të jenë në qendër të vazhdimësisë”. 45-vjeçari pohoi gjithashtu se tri ndeshjet e ardhshme për rekordmenët gjermanë do të jenë përcaktues në bazë të ecurisë së skuadrës: “Pas ndeshjeve të përfaqësueseve, synim mbetet përqendrimi maksimal në ndeshjet e ardhshme.

Takimet ndaj Leverkusenit, Plzenit dhe Borusia Dortmundit do të jenë teste direkte dhe hapat fals janë një term që nuk mund të imagjinohet në ambientin tonë”, pohoi me nota diktuese drejtori sportiv nga “Allianz Arena”. Tema e trajnerit në klubin më të titulluar në Gjermani mbetet ende aktive, por ballkanasi ka dashur ta shuajë si diskutim dhe të krijojë klimë pozitive përpara testeve të ardhshme ne Bundesligë dhe Champions, si shenjë sigurie ndaj strategut Nagelsman:

“Me Julianin kam folur gjatë, përfshirë aspektet pozitive dhe atyre më pak të këndshme, të cilat do të duhet të zgjidhen sa më shpejt brenda fushës së blertë. Nagelsman gëzon mbështetje të plotë nga bordi i Bajernit, gjithmonë kemi qenë të bindur në aftësitë menaxheriale të tij. Ai mund ta dërgojë ekipin drejt sukseseve në të ardhmen”, tha arkitekti i merkatos verore në Mynih.