Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka mbërritur ditën e djeshme në Tiranë. Përpara koncertit gjigant që do ta mbajë në sheshin “Skënderbej” të martën, Ora u nis për në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, shoqëruar nga kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.

Ajo takoi nga afër shumë nxënës dhe të diplomuar nga liceu, të cilëve nuk nguroi t’iu jepte përgjigje të shumta në pyetjet që ata parashtronin.

Një prej pjesëmarrësve në sallë e pyeti këngëtaren se si ia doli të depërtonte në tregun ndërkombëtar, kur në fakt ishte shqiptare. Këngëtarja tha se nuk ka qenë edhe shumë e lehtë, pasi në fillimet e saj njerëzit e paragjykonin për prejardhjen, madje edhe për ngjyrën e lëkurës së saj.

“Jam kosovare, vij nga një vend që quhet Shqipëri dhe në fakt është një vend i mbushur me njerëz të mrekullueshëm. Dhe ata ishin si: ‘Po, por lëkura juaj…lëkura juaj është pak më e errët, ti nuk ke lëkurë aq të bardhë’, dhe unë isha: Çfarë? A i keni parë njerëzit që vijnë nga vendi im? Ne jemi kaq ekziotikë, ne dukemi sikur vijmë nga vende të ndryshme, ne jemi të bukur brenda dhe jashtë, jo vetëm fizikisht”, ka thënë këngëtarja e hitit “Let You Love Me” në përgjigjen e saj.

Ndër të tjera, Rita u shpreh se e ka treguar gjithmonë me krenari origjinën e saj që në fillimet e karrierës, pa marrë parasysh për atë se çfarë të tjerët do të thonin për prejardhjen e saj.