Nga Artur Ajazi

Ardhja e Muhamet Rrumbullakut, (një prej specialistëve më të pergatitur të fushës) në krye të Policisë së Shtetit, ka ndyshuar veç të tjerave edhe reagimin institucional pas çdo ngjarje të ndodhur. Kjo konstatohet prej ditësh në veprimet dhe deklaratat zyrtare të dala nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit, lidhur me fenomene negative, shkelje apo dhe denoncime faktike nga qytetarët apo mediat. Muhamet Rrumbullaku, mbetet ndër drejtuesit dhe specialistët me rezultate konkrete në fushën e tij. Shpërgjumja e strukturave të Policisë Shtetit, riorganizimi, dhe angazhimi maksimal i drejtuesve në rrethe, mbetet prioriteti i punës së drejtuesit të ri Rrumbullaku. Dhe rezultatet nuk kanë munguar. Masa disiplinore, paralajmërimet, largimet dhe penalizimet e policëve, oficerëve të mesëm dhe të lartë, janë një prej arritjeve të reagimeve të shpejta institucionale që ka bërë pothuajse në çdo rast Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit.

Muhamet Rrumbullaku, erdhi në krye të detyrës së lartë të drejtorit të Policisë Shtetit, me një platformë dhe objektiva të qarta, përsa i përket reformimit dhe ristrukturimit të strukturave policore. Puna dhe lufta ndaj krimit nga zyra, ka marrë fund. Drejtuesit e komisariateve dhe drejtorive të Policisë Shtetit në qarqe, do të prekin terrenin, përballjen me elementin kriminal, dhe jo të drejtojnë operacionet nga celulari. Përmbysja e mentalitetit të dikurshëm ku “shefi apo drejtori drejton nga zyra”, ka marrë fund. Në urdhëresat e tij Muhamet Rrumbullaku, ka vendosur një standard të ri drejtues dhe menaxhues të punës në posta, komisariate dhe drejtori policie. “Policia që Duam”, mbetet refreni i çdo profesionisti, që do ti duhet të përballet jo vetëm me krimin, por edhe me ata që deri sot kanë vegjetuar në rradhët e Policisë Shtetit.

Me “nxitimin” e tij, duket sikur Muhamet Rrumbullaku kërkon të arrijë kohën e humbur, apo dhe të vendosë mbi “shina” të sigurta strukturat policore. Ajo ç’ka konstatojnë qytetarët sot, është forma dhe mënyra se si reagon Policia e Shtetit . Diku një shkelje ligjore, diku një akuzë apo denoncim për efektivë të molepsur në afera korruptive, diku një rast flagrant i dekonspirimit të aksioneve policore, kanë sjellë reagimin institicional të DPPSH. Shqipëria është vend aderues për në Bashkimin Europian, ku veç të tjerave, Policia e Shtetit si institucion ligjzbatues, merr një vëmëndje të veçantë, në kuadër të luftës ndaj fenomeneve kriminale.

Lufta ndaj trafikut, korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe bashkëpunimi institucional me organet e reja të drejtësisë dhe mediat, ka qenë një tjetër fillesë pozitive e strukturave policore pas ardhjes së Muhamet Rrumbullakut në krye të DPPSH. Ndryshimi ndjehet, ndryshimi pritej, dhe ai ka ardhur bashkë me optimizmin e qytetarëve, për një fillim të ri, që do ti shërbejë jetës, rendit, sigurisë, qetësisë tyre.