U mbajt sot Kongresi Kombëtar i Arsimit me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve në fushën e arsimit që nga nxënësit, rektorët, politikbërësit, ambasadorët dhe parterët ndërkombëtarë për adresimin e sfidave të arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri e nisi me thënien nga rilindësi Dervish Himëa në Kongresin e dytë të Manastirit: ”Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjak, një gjuhë, një atdhe dhe një qëllim kemi, i cili është: përparimi i kombit shqiptar. Me të tillë thirrje e nis fjalimin e tij rilindësi Dervish Hima në hapjen e punimeve të Kongresit të dytë të Manastirit, ku mendjet më të shquara të kombit u mblodhën për të unifikuar gjuhën shqipe.
Kur ka kaluar mbi një shekull nga kongresi, një gur themel që u fokusua tek gjuha dhe arsimi si arma më e fortë për përparimin e kombit, mblidhemi në një kongres të përbashkët të arsimit me përmasa ndërkombëtare për zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Natyrisht shumë modest për nga pesha krahasuar me atë të Manastirit, por që në thelbin e vetë ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar. Ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore, është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit.
Mjafton të harxhojë secili një orë kohë në kanalet e online për të parë çfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit, formulimin, drejtshkrimin e shqipes dhe teksa brezi më i ri përfshihet në mënyrë marramendëse në teknologji, gjuha është më e rrezikuara dhe nga ana tjetër kjo u ndodh të gjitha gjuhëve që sot janë në presionin të konsumit të madh të fjalëve për të komunikuar.”

Në vijim Rama u shpreh se: “Na takon neve të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh, rrugë për ta forcuar pozicion e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ, ku është përfshirë gjithë bota. Duhet ta shohim me shqetësim domosdoshmërinë për të rritur standardet e arsimit, është një urgjencë shumë e madhe edhe për vendet e zhvilluara
Ajo që është e sigurt është se sot ne kemi më shumë nevojë se më parë për të bashkuar mendjen tona përtej kufijve të Shqipërisë, po në gjithë hapësirat ku flitet shqip.”

Për Kryeministrin përpjekja për gjuhën shqipe do të jetë një përpjekje e gjithanshme dhe tani është koha për të diskutuar që gjuha shqipe të vendoset në çdo nivel të arsimimit.