Presidenti rus, Vladimir Putin, bëri të ditur se ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi.

Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi i Ukrainës, me urdhër të tij, është në muajin e shtatë. Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.

Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë.

Analistët thonë se përpjekjet e tilla, të mbështetura nga Kremlini, krijojnë terren që Moska të përshkallëzojë luftën, pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës.

Referendumet, të cilat pritej të zhvilloheshin që në muajt e parë të luftës, do të fillojnë më 23 shtator në rajonet Luhansk e Herson, si dhe në Zaporizhja e Donjeck. Dy të fundit kontrollohen pjesërisht nga Rusia.

Gjatë fjalimit të tij, Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe pretendoi – pa ofruar asnjë provë – se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata” për “mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.

“Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t’ua kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi”, tha Putin.
“Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet… për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri që do t’i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Ky nuk është një mashtrim”, theksoi Putin.

Ai shtoi se mobilizimi i pjesshëm ushtarak do të nisë menjëherë.

“Po flasim për mobilizim të pjesshëm, pra vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervë, do t’i nënshtrohen rekrutimit, si dhe ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë përvojën përkatëse”, tha Putin.

Ai tha se qëllim i tij është “çlirimi” i rajonit Donbas në Ukrainën lindore.Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha në një intervistë televizive se do të mobilizohen vetëm ata rusë që kanë përvojë përkatëse luftarake dhe shërbimi, e jo rekrutët dhe studentët.

Ai tha se 5.937 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë deri më tani – shifër kjo shumë më e vogël se vlerësimet e Ukrainës dhe të disa vendeve perëndimore, që flasin për dhjetëra mijëra.
Kjo është hera e tretë që zyrtarët rusë japin shifra për humbjet ushtarake në Ukrainë.
Hera e fundit ishte në fund të marsit, kur Ministria e Mbrojtjes pretendoi se 1.351 ushtarë rusë u vranë në Ukrainë.