Zyrtarët perëndimorë besojnë se presidenti rus, Vladimir Putin ka filluar ta kuptojë gabimin kolosal që ka bërë pas pushtimit të Ukrainës, mes sinjaleve se kontrolli i tij ndaj pushtetit mund të jetë dobësuar. Kremlini pritet të veprojë me shpejtësi për të aneksuar katër territoret ukrainase të pushtuara nga forcat e tij në lindje të vendit, pas kryerjes së një sërë referendumesh të rreme për bashkimin e tyre me Federatën Ruse. Referendumet ruse u denoncuan nga zyrtarët perëndimorë si një masë paniku pas zmbrapsjes së forcave ruse në kundërofensivën ukrainase, në veri të vendit. Zyrtarët kanë kundërshtuar njoftimin e udhëheqësit rus, javën e kaluar, për një mobilizim të pjesshëm të trupave ushtarake rezervë. Pas shpalljes se vendimit, rreth 250 000 rusë janë larguar nga vendi për të shmangur rekrutimin.

Eksodi vjen menjëherë pas pushtimit në shkurt, ku mendohet se janë larguar mbi 400 000 banorë, përfshirë punonjësit e arsimuar dhe më të aftë të vendit dhe duke rritur kështu presionin ndaj ekonomisë ruse, tashmë të goditur rëndë nga sanksionet. Protestat kundër mobilizimit raportohet të jenë në rritje, ndërsa zyrtarët perëndimorë njoftuan se ishin gjurmuar 17 zjarre në qendrat e rekrutimit, katër ditë pas shpalljes së vendimit. Një zyrtar tha se po bëhej gjithnjë e më e qartë për popullin rus, se vendi i tyre po përjetonte një poshtërim i cili më në fund, mund të dobësonte pushtetin e Putinit.

“Elitat e dinë se kjo nuk do të planifikohet. Kemi parë komentet e medias shtetërore për Putinin duke u mashtruar nga forcat e larta ushtarake”, tha zyrtari. “Ky është një gabim i madh. Shumë banorë, tani po kuptojnë se Rusia është përulur nga ky gabim kolosal. Do të ketë pasoja, por unë mendoj se kjo situatë do të vazhdojë për shumë muaj”, shtoi ai. Fjalët e tij u interpretuan si një paralajmërim për Ukrainën, që të mos përpiqej të rimerrte territoret e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhias. “Rusia është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Është krejtësisht mizore dhe e papërgjegjshme që të përdoret kjo lloj gjuhe. Ata duhet të ulin tensionet”, tha një zyrtar.

Gjithashtu, zyrtarët thanë se duhej të bëhej një hetim i përshtatshëm ndaj një seri shpërthimesh që goditën gazsjellësit nënujor të Rusisë, “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, mes dyshimeve për një sabotim të qëllimshëm nga ana e Moskës për të përkeqësuar krizën energjetike në Perëndim. “Janë raportuar një numër shpërthimesh. Duket shumë e dyshimtë, por mendoj se ne duhet të vërtetojmë faktet dhe më pas të atribuojmë fajin”, shtoi ai./ (Nga Gavin Cordon)