Nëse ka një zë edhe më të fortë se vetë presidenti Vladimir Putin në mbështetje të asaj që nga “mision special” edhe zyrtarisht po shndërrohet në luftë të hapur me Ukrainën, ky zë vjen nga lideri i kishës ortodokse ruse, patriarku Kirill.

Sipas disa mediave, duke filluar nga ai bjellorus Nexta, kreu religjioz i është drejtuar të paktën 300 mijë rezervistëve që po nisen drejt frontit ukrainas pas vendimit të Putin për mobilizim të pjesshëm të vendit, duke i përkrahur me fjali si “nuk duhet të keni frikë nga vdekja”.

Sipas burimeve, madje, Kirill ka shkuar më në detaj, duke iu drejtuar pikërisht ushtarëve që pritet të shtojnë radhët e forcave pushtuese. “Shko me kurajë, bëj detyrën tende ushtarake. Kujto se po vdiqe për vendin tënd, do të jesh me Zotin ne mbretërinë e tij, plot lavdi në jetën e përtejme”.

Nga dhjetori i vitit 2008, kur morri postin e të ndjerit Aleksei II, Kirill ka afruar dukshëm Kishën Ruse me linjën politike të presidentit Vladimir Putin, aq hapur sa ka hyrë në konflikt disa herë me patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeu, që i ka cilësuar deklaratat e tij për fushatën në Ukrainë si “fjalë që dëmtojnë të gjithë Kishën Ortodokse”.

Në fillim të “operacionit special” të vendosur nga miku i tij Putin, Kirrill cilësoi ata që kundërshtonin pushtimin si “forcat e Djallit”.