Nga Alba Malltezi/

Një person i shpallur i padëshiruar jo vetëm me votën e shqiptarëve, por edhe me shkrim dhe me gojë nga dy prej shteteve më të qytetëruara dhe më demokratike në historinë e njerëzimit, nuk i shkitet Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një tjetër person, marifetçi bashkëtingëlloresh, që ndryshon identitetin papritur, me shkrim dhe me gojë, në dritë të diellit dhe në sy të gjithë botës dhe shqiptarëve, nuk i shqitet Shqipërisë. I pari e gjen forcën në gjithë urrjetjen e grumbulluar prej tij prej vitesh, e cila duket në proporcion të drejtë me pasurinë e grumbulluar po prej tij: Vila më e madhe në Gjirin e Lalëzit, urrejtja më e madhe e mban luftarak deri në ekstrem. I dyti, njësoj me të parin për uri e pasuri, por ndryshe nga shumë shqiptarë që në lindje e gjetën veten me emra të papëlqyer të një Turqie të vjetër vendosur nga familjet (si Behixhe, Haxhire, Mahmut etj.) dhe e ndryshuan për një emër më të pëlqyeshëm e modern (me shumë të drejtë), i shtoi mbiemrit vetëm një gërmë për ta ngatërruar, tamam si ata trafikantët që kapen me drogë andej këndej e u shtojnë e u heqin gërma emrave e mbiemrave për të mos u kapur nga kontrollet nëpër pikat kufitare kur lëvizin në Europë e më gjerë.

Të dy këta individë, janë në të drejtën e tyre legjitime të ofrohen e të vetëofrohen si “shpëtimtarë” të shqiptarëve dhe të projektohen e vëtprojektohen si e ardhmja e ndritshme e Shqipërisë, derisa Shteti i së drejtës në Shqipëri vazhdon të jetë i brishtë dhe i paaftë të bëjë dallimin mes kujt jeton në Republikën e Shqipërisë duke respektuar liritë dhe detyrimet që kërkon ligji, dhe mes kujt i shkel dhe i shkallmon pa asnjë respekt për qytetarët e këtij vendi dhe sidomos, duke luajtur me ëndrrat e të gjithëve për ta bërë Shqipërinë një vend të mrekullueshëm e harmonik në brigjet e Ballkanit Perëndimor.

Por akoma më hileqarë e të dëmshëm vazhdojnë të jenë ata intelektualë, mendimtarë të ndryshëm, që kanë vlera në vetvete përmes profesioneve, punës dhe detyrave që mbajnë, të cilët, pa u skuqur fare, ua ofrojnë si alternativë të së tashmes dhe të së ardhmes pikërisht si “non gratën” planetar, ashtu dhe marifetçiun e shtimit të bashkëtingëlloreve në mbiemër. E bëjnë këtë sepse nuk iu pëlqen kush është në drejtim sot. Eshtë e drejtë legjitime e tyre dhe kujtdo të kërkojnë ndryshim, por alternativa për një Shqipëri më të mirë, më të bukur e më harmonike në brigjet magjike të Ballkanit Perëndimor, nuk mund të jetë as “non grata” planetar dhe as marifetçiu i bashkëtingëlloreve që ia ngjit mbiemrit për shpëtim ligjor e moral. Lodhja, sakrifica e cilitdo shqiptari të denjë e të mirë duhet të përqëndrohet tek zbulimi, promovimi i talenteve politiko-sociale që Shqipërinë dhe shqiptarët vetëm i përmirësojnë! Jo te riciklimi e riofrimi i nongratave planetare apo marifetçnjve të bashkëtingëlloreve, që Shqipërinë e shqiptarët vetëm sa i varfërojnë e poshtërojnë.