Projeksionet botërore të popullsisë parashikojnë rritje në mbi 8 miliardë banorë deri në fund të këtij vitit, ndaj institucionet ndërkombëtare dhe ato qendrore po punojnë për të përballuar sfidat që vijnë nga këto ndryshime demografike. Fondi i Kombeve të Bashkuara, UNFPA Albania për rastin e Shqipërisë referuar studimeve dhe të dhënave zyrtare publikoi disa nga statistikat për sa i takon shëndetit, ekonomisë, vdekshmërisë dhe aspektit social lidhur ngushtë me mirëqenien apo varfërinë. Të dhënat e Instat mbi popullsinë tregojnë se jetëgjatësia në lindje vitet e fundit ka tregues pozitivë dhe në 2022, është vlerësuar me 76.5% për 100 mijë lindje. Ndërkohë po këto të dhëna tregojnë se shkalla e vdekshmërisë foshnjore është ulur ndjeshëm nga 10 vdekje për çdo 1 mijë lindje të gjalla në 8.4 vdekje për çdo 1 mijë lindje të gjalla.

Referuar vdekshmërisë së fëmijëve nga mosha 1-4 vjeç gjithashtu ka të dhëna pozitive pasi është shënuar ulje nga 10.9 në vitin 2020 në 9.2 në vitin 2022.Rritje brenda dy viteve kanë pësuar statistikat e vdekshmërisë së të rriturve nga mosha 15 – 59 vjeç. Aborti, është një temë e nxehtë që lidhet dhe me diskutimet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe në Evropë, për propozimet në ndryshime ligjore për kufizimin ose shmangien e tij. Në Shqipëri statistikat për abortet e raportuara mbeten po njësoj në dy vitet e marra në studim. Abortet për 1 mijë gra raportohen të jenë në statistikën 6.7.

Por rekomandimet e UNFPA Albania që shoqërojnë panoramën e lindjeve dhe mortalitetit kërkojnë adresimin e sfidave që vijnë si pasojë e lëvizjeve demografike, lindshmërisë dhe vdekshmërisë, si edhe emigrimit. Kjo për të sugjeruar më tepër politika për t’ia dalë mbanë nga pandemia që në rastin konkret ishte ndërhyrja përmes vaksinimit. Në anën tjetër ndërhyrjet për të frenuar emigrimin duhet të jenë politika e punësimit për të inkurajuar të rinjtë si dhe ndërhyrje në politikat ekonomike për ti ofruar qytetarëve kryesisht atyre në zonat rurale një alternativë të mirë në vendin e tyre. Nga mbi 2 milionë e 700 mijë banorë që jetojnë në vendin tonë, vdekshmëria për 1 mijë banorë llogaritet 1.95 për vitin 2021. Këto shifra janë lidhur dhe me situatën pandemike por edhe me faktorë të tjerë si humbjen e jetës në aksidente apo sëmundjet kardiake apo tumoret.