Shqetësimi krijuar nga sulmet kibernetike të Iranit, sjellin në Shqipëri zv.asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt James Appathurai. Në një deklaratë bashkë me ministrin e mbrojtjes Niko Peleshi, James Appathurai tha se në këtë përballje kibernetike Shqipëria nuk është e vetme.

“Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Ky është dhe mesazhi që Sekretari i Përgjithshëm i dha kryeministrit Rama në takimin e kaluar. Sigurisht doja të theksoja dhe përpjekjet e shumta që ka bërë shteti shqiptar duke nisur nga qeveria deri poshtë te niveli i ulët për të përballuar këto sulme që janë bërë. Sigurisht ndihma ka ardhur nga NATO, ka ardhur në nivel teknik nga vende të ndryshme të NATO-s, por edhe në nivelin individual nga struktura të ndryshme”, tha James Appathurai. James Appathurai tregoi se ekipi i NATO-s ardhur në Shqipëri do të takohet edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, si dhe ata të AKSHI-t.

“Arsyeja kryesore pse jemi këtu është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur. Për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë”, u shpreh Appathurai. Ministri Niko Peleshi deklaroi se këto sulme kanë treguar se nuk mund të jemi të mbrojtur në mënyrë permanente, por duhet të jemi vigjilentë dhe të aftë të mbrojmë infrastrukturën dhe teknologjitë e informacionit të vendit tonë duke investuar më shumë në drejtim të luftës kibernetike.

Top Channel