Në kuadër të hapjes së Skemës Kombëtare për mbështetjen e prodhimit të grurit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u ndal në Fier në një komunikim të hapur me fermerët. Ministrja tha se Fieri në vetvete përmban një peshë specifike mjaft të rëndësishme të prodhimit tonë bujqësor vendas, të eksporteve.
“Vetëm këtë vit kemi rreth 48 milionë euro më shumë eksporte se sa vitin e kaluar, i cili nuk ka qenë një vit që përballet me krizat e shkëputjes së zinxhirit tregtar në të gjithë botën dhe me pasiguritë që ne dëgjojmë sot të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, e cila ka turbulluar të gjithë zinxhirin ekonomik botëror, por bujqësia jonë është ajo bujqësi që falë punës së palodhur të fermerëve tanë, të cilët janë çdo ditë në fermë, punojnë, prodhojnë, shesin, përballojnë kostot e rritura, të cilat janë një fakt, të prodhimit bujqësor në vend”.
Minstrja Krifca nënvizoi se gjithë qëllimi i Ministrisë së Bujqësisë është që prodhimeve bujqësore ne t`jua shtojmë vlerën këtu sepse do të thotë më shumë vlerë ekonomike, të ardhura për fermerët dhe punësim.
“Është shumë e rëndësishme t`i themi këto dhe këto janë fakte nuk janë dëshira të mijat dhe janë fakte të një pune të palodhur, të bërë, në fakt dhe nga fermerët, por të shoqëruar njëkohësisht dhe me vendime të rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit, ku e ka mbështetur bujqësinë nga viti në vit në mënyrë progresive, më shumë”.

Ne këtë vit në buxhet të mbështetjes së drejtpërdrejtë, Skema Kombëtare e mbështetjes ka një buxhet prej 4.9 miliardë lekë në total.
“Në fillim, me paketën e rezistencës sociale u shtuan 500 milionë lekë për naftën. Nafta filloi me 950 milionë lekë në fillim të vitit në buxhet, patëm një kërkesë prej 49.000 fermerësh aplikantë, 49.000 fermerë nuk ka pasur kurrë Skema Kombëtare dhe specialistët e bujqësisë janë këtu, mund t`i konsultoni dhe të kuptoni se sa fermerë e qasnin Skemën Kombëtare”.

Ministrja Frida Krica tha se po punohet gjithashtu edhe për alokimin e naftës te fermerët.