Nga Jakin Marena

Ka mjaftuar vetëm një takim kortezie i ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim në ish selinë e LSI, tani selia e Partisë së Lirisë, që Ilir Meta të ndryshojë me 180 gradë qëndrimin ndaj SHBA. Apo më saktë ka ndryshuar qëndrim dhe ndaj ambasadores në Tiranë. Sa mirë do të ishte, që ky ndryshim të ishte i qëndrueshëm, dhe jo deri në shpërthimin e radhës.

Meta ka lënë për të ‘kuptuar’ se tani e tutje nuk ka më ide në “çartura” kundër Uashingtonit, apo ide sovraniste ku i bëhej thirrje shqiptarëve që të mos qeverisën më nga amabasadorët por të merrnin vetë fatet e kombit në dorë.

Madje nuk ka më as krahasime indirekte të SHBA me Korenë e Veriut apo vendet e tjera diktatoriale ku procesi i votimit është një farsë sipas ish presidentit. Ndërkohë që “kapjen për veshi të amerikanëve këtu”, apo dhe “amerikanët duan të më vrasin me raketa në Malin me Gropa por raketa ka dhe Rusia”, edhe vetë Meta i kujton me bezdi këto deklarata, duke ia lënë si në heshtje faktit se ka qënë i nxehur me të gjithë. Si gjithnjë sa herë i përmendin zullumet!

Me sa duket Iulir Meta po tenton të tregojë se e ka gjetur “pinin” e humbur, me të cilën pretendon se ka hapur një faqe të re në marrëdhëniet e tij me amerikanët, duke treguar rast pas rasti, madje dhe në mënyrë sfiduese se tashmë marrëdhëniet me qeverinë amerikane dhe të dërguarit e saj në Shqipëri janë “më se të shkëlqyera”.

Gjithçka filloi disa ditë më parë, kur Yuri Kim takoi Metën në selinë e PL, një takim kortezie si me të gjithë partitë e tjera, e nënvizuar dhe nga vetë ambasada në njoftimin që dha, duke e perifrazuar “si pjesë e takimeve të saj të vazhdueshme me udhëheqës politikë shqiptarë”.

Në këtë takim ambasadorja e SHBA në Tiranë, ka nënvizuar në mënyrë të përsëritur “nevojën që partitë politike të bashkohen për t’u përfshirë në dialog konstruktiv që forcon demokracinë, lufton korrupsionin dhe çon përpara negociatat e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE”.

Ky është njoftimi zyrtar i ambasadës së SHBA, por që Ilir Meta në njoftimin e tij për mediat ka dhënë dhe ‘detaje’ të tjera mbi fokusin e bisedës me Yuri Kim, dhe mbi të gjithë për “ofertën” e pakërkuar Sali Berisha, aleatin e tij në tentativë deri më tani në luftën opozitare.

“Unë mund t’ju them çfarë unë i thashë zonjës amabsadore që të jeni të qetë, se ato që them në takime të mbyllura i them dhe në takime të hapura. Unë thashë dhe një herë mendimin tim që kam për cështjen e shpalljes ‘non grata’ të zotit Berisha.

I shpreha bindjen që në radhë të parë është vepër e Bashës dhe Ramës në bashkëpunim. Se Basha gjithë vendiemt e gabuara që ka marrë, bojkoti i refomës, djegia e mandateve, falja e institicioneve të pavarura Ramës, falja e pushtetit vendor në tavolinë Rames, të gjitha këto vendime ia ka faturuar zotit Berisha e ky është akt e vendim i SHBA që s’kemi pse ta diskutojmë. Por njëkohësisht, seriozisht i thashë që të thotë në Uashingtion që të paktën unë e vlerësoj efektin pozitiv të këtij vendimi për të cilni as kam qenë e as jam dakort se e quaj jo proporcional, se pa një vendim të tillë do kishim sërish kryetar të PD Lulzim Bashën.

Ne nuk bëjmë zgjedhje mes Sali Berishës dhe Amerikës, mes PD dhe Amerikës, ne kemi programin tonë si Partia e Lirisë që është 100% i pavarur dhe nga PD, respektojmë vendimet që marrin anëtarët, simpatizantët nuk ndërhyjmë në proceset e zgjedhjeve të tyre dhe ne qëndrojmë programit tonë për të përmbushur detyrimet tona ndaj partneritetit strategjik me SHBA dhe për të përshpejtuar me ritme marramendëse reformat prioritare në fushën e sundimit të ligjit, krimit të organizuar dhe korrupsionit që janë kyce për anëtarësimin në BE. Nuk kemi asnjë arsye të bëjmë një zgjedhje të tillë, jemi të bindur që PD është parti e përkushtuar për t’ju përmbajtur parnteritetit strategjik me SHBA”, deklaroi Meta disa orë pas takimit të disa ditëve më parë.

E përmendëm pasazhin të plotë për të treguar se Ilir Meta është munduar të përcjellë mesazhin e tij për shqiptarët se ai më në fund, pas shumë e shumë dilemash dhe luhatjesh mes sovranizmit dhe mëvetësisë ka zgjedhur Amerikën në vend të Berishës, ndonëse takimi me Kim në themel ishte për rritjen e bashkëpunimit dhe dialogut politik të favor të demokracisë, luftës ndaj korrupsionit dhe përshpëjtimit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Por Meta me sa duket tepër i ekzaltuar se kishte mbërritur në një takim aq shumë të dëshiruar me ambasadoren amerikane, tipike për krerët e partive politike shqiptare kjo, si pa dashje ka harruar për momentin ato që ka deklaruar kohë më parë, kur ishte një “sovranist” i kulluar dhe që mund të bënte dhe pa ambasadorët e SHBA, pasi “populli i 2 prillit e mbështet fuqishëm”.

Por më tepër se një mesazh për anëtarësinë e partisë së tij, takimin e Yuri Kim në selinë e PL Ilir Meta është munduar ta përdorë për kredite politike dhe është përpjekur ta përcjellë dhe si një mesazh të “koduar” tek aleati i tij Sali Berisha, si një karshillëk, me synimin për të rritur pazarin në këtë aleancë, tashmë që zgjedhjet për pushtetin vendor duan dhe pak muaj që të zhvillohen.

Meta e ka shumë problem përfaqësimin në zgjedhjet vendore të pranverës së vitit 2023, pasi kërkon që “rikthimin” në politikë, pas lënies së mandatit të Presidentit, ta ketë sa më “triumfal”. Qoftë dhe duke “gërryer” në “kufomën” e dergjur të asaj që quhet PD, e cila është e ndarë në tre pjesë dhe akoma ka problemet e lidershipit.

Madje ende nuk ka e zgjidhur se kush do ta ketë vulën e partisë dhe logon e PD, pasi ankimimi i Alibeajt në Apel për këtë qëllim, ende nuk është shqyrtuar nga gjyqtarja e çështjes. Pavarësisht presionit të Berishës, i cili nuk ngurron asnjë asnjë ditë që të sulmojë këtë gjykatë.

Meta duke amplifikuar takimin me Yuri Kim, përballë një Berishe që është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, por që edhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE refuzojnë madje t’i japin dorën, kërkon që të vihet vetë në krye të opozitës PD-PL, nën argumentin se vetëm ai është i preferuar i Perëndimit. Përderisa ende nuk është shpallur “non grata” kuptohet.

Për më tepër që tashmë kreu i Partisë së Lirisë ka nisur të zhvendoset djathtas në spektrin politik, teksa ka nisur “këngën” sipas ritmit të republikanëve amerikë. Duke e sulmuar Berishën pikërisht në themelin e tij ideologjik, pra në konservatorizmin e evidentuar dhe përqafuar tashmë së voni.

Nuk është e rastësi që Ilir Meta dhe mëngjesin e së hënës ka përcjellë në adresën e tij në rrjetin social, fjalimin e ish presidentit amerikan Ronald Regan, për të cilin shkruan se tregon zgjidhjen dhe për situatën e rëndë në vendin tonë. “Ëe the People”, fjalimi i jashtëzakonshëm i Presidentit Ronald Regan tregon shumë qartë rrugëzgjidhjen edhe për situatën e rëndë në të cilën ndodhet sot vendi ynë. Është koha për udhëheqjen, vendimmarrjen dhe qeverisjen e popullit dhe kjo do të ndodhë vetëm nëpërmjet ushtrimit të së drejtës kushtetuese për Referendum. Është populli ai që i tregon i Qeverisë çfarë duhet të bëjë dhe çfarë i lejohet të bëjë dhe se asnjë Qeveri arrogante, e korruptuar dhe e papërgjegjshme nuk mund t’i shpëtojë llogaridhënies”, shkruan Meta.

Karshillëku ndaj Berishës është e qartë, duke treguar në mënyrën më sfiduese “konvertimin” e tij nga një anti-amerikan i thekur në një pro-amerikan po të thekur. Eshtë si të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit, kjo që Meta po i bën Berishës, në tentativën e tij për të treguar se është ai njeriu i përshtatshëm që mund të udhëheqë opozitën por dhe të jetë interlokutor i saj tek partnerët tanë ndërkombëtarë. Madje tenton të tregojë se prania e PL-së në koalicion me Berishën, do të ishte jo vlerë e shtuar, por një domosdoshmëri për të marrë vota dhe për të mos u cilësuar një aleancë anti-amerikane.

Eshtë një përpjekje e Metës për të përfituar sa më shumë, siç ka bërë gjithnjë, nga votat e partive të mëdha. Thjeshtë dhe vetëm duke shfrytëzuar një takim kortezie me ambasadoren amerikane, duke gëlltitur atë që kishte “pështyrë” për dy vite me radhë, por dhe duke recituar fjalimet e ish Presidentit republikan amerikan Ronald Regan.

Me një fjalë Meta kërkon ta spostojë politikisht akoma më në “qoshe” Sali Berishën e shpallur familjarisht “non grata” nga demokracitë më të mëdha të Perëndimit, thjeshtë dhe vetëm për përfitime politike. Dhe vetëm se ende është i ‘pandëshkuar’ nga partnerët, në ndryshim nga Berisha.

Njëherësh Meta po përpiqet të bindë dhe shqiptarët, që nuk ka asnjë çështje të mbetur “pezull” me amerikanët, pavarësisht se ka një hetim në SPAK për lobimin në SHBA me para që nuk iu dihet burimi. Pavarësisht se ka dhe çështje të tjera të regjistruara dhe ku ka nisur hetimi, por dhe perceptimin popullor si një nga politikanët më të korruptuar në vend. Pasi shqiptarët ende janë të bindur se Reforma në Drejtësi do të merrte jetë vetëm nëse ai bashkë me Berishën shkojnë e përballen për akuzat e shumta para drejtësisë së re.

Dhe në fund të herës, Metës besoj se ia kanë thënë atë anektodën e Nastradinit, i cili qante kur dilte dielli sepse thoshte se do të binte shi pas kohës së mirë, dhe qeshte e gëzonte kur binte shi, sepse thoeshte se do të hapej koha dhe do gëzonte motin e mirë.

Kështu dhe me këto takimet e kortezisë, qoftë dhe me diplomaten amerikane në Shqipëri. Vendi me demokracinë më të zhvilluar të botës, nuk harron kurrë, pavarësisht kohës dhe momentit të shprehjes së konsideratave për secilin politikan shqiptar. Pasi flasim për Shqipërinë. Ato jepen pikërisht në momentin dhe kur të duket se ke “mbyllur” gjithçka. Këtë ka treguar përvoja dhe për këtë duhet të presim zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve.